Arbëri

Vetëvendosje kërkon të zbatohet Ligji për Sigurime Shëndetësore

Në Ditën Ndërkombëtarë të Shëndetit, nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku-Muhaxha, ka kritikuar kompanitë që ofrojnë sigurim shëndetësor.

Sipas saj, moszbatimi i Ligjit për Sigurim Shëndetësor Publik ka bërë që shumë qytetarë të këtij vendi, të prekur nga sëmundjet, e në veçanti ato malinje, ose të kërkojnë shërim me kosto të lartë jashtë vendit, ose në pamundësi të mjeteve financiare të bredhin pa shpresë.

Mulhaxha në një konferencë për medie ka thënë se, kompanitë që ofrojnë sigurim shëndetësor privat po zhvasin xhepat e qytetarëve duke kërkuar klientë që janë gati 100% të shëndoshë, nën moshën 65 vjeçare.

“BQK-ja e cila mbikëqyrë këto kompani ende nuk ka përmbushur kërkesën e cila del nga Rezoluta e Kuvendit të Kosovës për raportim, lidhur me veprimtarinë e kompanive të sigurimeve. Ky është edhe obligim ligjor”, ka thënë ajo.

Ajo ka kërkuar përgjegjësi nga kompanitë e sigurimeve shëndetësore të cilat pas diagnostifikimit me sëmundje të klientëve ndërpresin kontratat, duke mos përmbushur obligimet e tyre.

Kollçaku Mulhaxha tha se ka dyshime të bazuara që Ligji për Sigurim Shëndetësor Publik qëllimisht po prolognohet, me qëllim që të mirëmbahet monopoli i kompanive private në treg.

“Para ligjit duhet të jemi të barabartë, dhe të kemi qasje në të mirat shëndetësore. Ligji për Sigurim Shëndetësor Publik duhet të zbatohet, dy rezolutat e kaluara në Kuvendin e Republikës të merren parasysh, dhe BQK-ja t’i mbikëqyrë kompanitë private që ofrojnë sigurime shëndetësore”, ka përfunduar ajo.