Arbëri

Apel i Policisë: Vozitni me kujdes

Foto: Driton Paçarada / Koha

Policia e Kosovës , përmes një komunikate ka njoftuar se po vazhdon aktivitete që kanë për qëllim ngritjen e vazhdueshme të sigurisë në trafikun rrugor si dhe uljen e aksidenteve.

Sipas komunikatës, njësitë policore, përveç pikave të kontrollit të automjeteve apo patrullimeve në lëvizje, janë duke u përqendruar në identifikimin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve të cilët rrezikojnë sigurinë në trafikun rrugor.

Vetëm në muajin mars 2019 gjatë implementimit të planit “Kontrolli teknik i jashtëzakonshëm”, nga njësitë policore janë shqiptuar gjithsej 290 fletëparaqitje për kundërvajtje, për të cilat është konstatuar se mjetet janë teknikisht jo në rregull, transmeton Koha.net.

Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, posaçërisht i drejtuesve të automjeteve është i domosdoshëm për të shmangur aksidentet fatale dhe në këtë mënyrë të krijohet një siguri më e madhe në trafikun rrugor.

Komunikata përfundon se Policia e Kosovës do të aplikojë masa rigoroze ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit të trafikut, me të vetmin qëllim për ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve rrugore në përgjithësi.