Arbëri

Kelmendi: S’do të ketë ndryshim kufijsh sepse më parë janë bërë kompromise midis Kosovës dhe aleatëve

Descriptive Text

Adriatik Kelmendi, gazetar dhe autor nga Kosova, drejtues i emisionit Rubikon, të transmetuar në kanalin televiziv “Kohavision”, ndodhet këto ditë në Washington, për të marrë pjesë në një simpozium të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik NDI.

Kelmendi tha se ishte i ftuar nga Instituti Kombëtar Demokratik dhe nga Komisioni i Debateve Presidenciale në SHBA, si përfaqësues i Kosovës, në mesin e përfaqësuesve të 30 shteteve, për të shkëmbyer përvojat se si organizohen debatet presidenciale. Ai tha se debatet presidenciale nuk ekzistojnë në Kosovë, dhe është mirë që ato të zhvillohen, sepse janë një rast i mirë kur votuesit njihen me politikat e kandidatëve e presidencialë, raporton VOA.

Duke komentuar lidhur me debatin që është zhvilluar në Kosovë lidhur me ndryshimin e kufijve, ai tha se kjo ide nuk do të funksionojë, për arsye se më parë janë bërë një numër kompromisesh midis Kosovës dhe vendeve aleate, sipas të cilave nuk do të ketë ndryshim kufijsh. Analisti tha se këto kompromise të arritura nuk duhen tejkaluar, duke pritur që Serbia të ndryshojë mendimet dhe veprimet e saj karshi Kosovës.

Lidhur me vendosjen e tarifave ndaj mallrave serbe nga Kryeministri Haradinaj që nga nëntori i vitit t; kaluar, një veprim i kundërshtuar nga aleatët kryesorë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, Adriatik Kelmendi tha se ky veprim i ka dhënë rezultatet e para pozitive, duke shkaktuar alarm tek Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare, për veprimet e padrejta të Beogradit.

Ai tha se është i mendimit që kjo masë është legjitimuar dhe nuk është duke u kundërshtuar më nga aleatët e Kosovës. Ai shtoi se as SHBA-ja dhe as BE-ja nuk kërkojnë që Kosova të mos sillet si shtet dhe se është mirë të ketë reciprocitet në marrëdhëniet me Serbinë. Analisti tha se është mirë që Kosova të dëgjojë këshillat e aleatit të tyre, SHBA-së, dhe të lihet hapësirë kohore për t’u menduar se si duhet vazhduar dialogu.

Kelmendi tha se është mirë që vëmendja e administratës amerikane është kthyer nga rajoni dhe kërkohet arritja e një marrëveshjeje historike, por duhet bërë e qartë se Serbia e ka humbur Kosovën, për shkak se ka bërë krime.