Arbëri

Sindikata shëndetësore s’e kupton se si një mjek paguhet 600 euro e një gjyqtar 1,500

Greva 24 orëshe e punëtoreve shëndetësorë që u mbajt ditë më parë ka përfunduar, por jo edhe përpjekja e tyre për realizimin e kërkesave që kanë. Mantelbardhët, të cilët përveç tjerash po kërkojnë edhe ngritjen e pagave, janë të vendosur që t’i vazhdojnë grevat dhe format tjera të pakënaqësisë, deri në arritjen e qëllimeve të tyre.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla në një intervistë për KosovaPress, thotë se punëtorët shëndetësorë tashmë janë degraduar në nivelin më të ulët të mundshëm dhe se këtë nuk mund ta lejojnë më.

“Kërkesat janë të qarta, rritja e pagave prej 15 për qind, konform rritjes ekonomike, e kërkojmë këtë sepse që tri vjet nuk kemi rritje pagash në Kosovë. Pika e dytë ka qenë Ligji i Pagave, ligji aktual edhe pse është kthyer, mirëpo kryeministri ka thënë se nuk do të ketë ndryshime. Ne po kërkojmë që në këtë ligj apo në dizajnimin e këtij ligji, të marrim pjesë aktive dhe të ketë ndryshime sa i përket punëtorëve shëndetësor, se këtu janë të degraduar në nivelin më të ultë të mundshëm. Unë një shembull po e marrë, cila është pozita që një mjek specialist me pas pagën as 600 euro, ndërsa një gjyqtar me pas 1 mijë e 500 euro. Kjo tash nuk do të pranohet nga Federata Sindikale e Shëndetësisë, as nga komuniteti shëndetësor”, tha ai.

Kërkesë tjetër e punëtorëve shëndetësorë, është Edhe pagesa për rrezikshmëri në punë. E si kërkesë urgjente mbetet furnizimi me material shpenzues, me barna dhe me infrastrukturë tjetër përcjellëse, me qëllim që pacientëve t’i ofrohen shërbime të mirëfillta.

Në këto kushte në të cilat funksionon shëndetësia kosovare, Syla thotë se është e pamundur që të ofrohen shërbime cilësore për pacientët, pasi që u mungojnë gjërat më elementare siç janë shiringat.

“Me këto kushte që jemi kur ne kemi situata kur nuk gjejmë një shiringë të thjeshtë, nuk ka në spitale, mos të flas për barnat. Neve çdo ditë duhet në vend se të merremi me shkencë, në vend se të merremi me shërbim, duhet me i shkruajt në letër çka me ble pacienti, andaj besoj se këto janë probleme shumë të mëdha që janë akumuluar deri sot. Kemi tentuar që një vit e gjysmë që të bisedohet, e kemi ngrit zërin, nuk kemi gjetur mirëkuptim. Qeveria edhe pse e ka shti në pesë prioritetet e para nuk ka qenë serioze, sepse nuk e ka rrit buxhetin. Buxheti i shëndetësisë ka mbetur i njëjtë dhe kam frikë se edhe në vitet në vijim do të mbes i njëjtë, nëse nuk reagojmë të gjithë bashkë”, tha ai.

Syla thotë se nëse ata vazhdojnë të neglizhohen nga institucionet e vendit, siç ka ndodhur deri tani dhe nëse Qeveria nuk merr hapa konkret për plotësimin e kërkesave të tyre, ata do të marrin dhe hapa më radikal.

“Nëse me të vërtetë neglizhohemi në këtë mënyrë, atëherë punëtoret shëndetësor do të veprojnë deri në pa dëgjueshmëri qytetare. Ne nuk do të këqyrim me ligje, ne do ta këqyrim mbi të gjitha interesin tonë jetik. Në qoftë se vendoset etika para jetës, atëherë cili është problemi. Unë nuk mund ta zhvilloj etikën nëse nuk e kam shëndetin dhe mirëqenien e mirë. Hapat tjerë do të jenë shumë më radikal se sa që kanë qenë”, tha ai.

Syla përmend edhe çështjen e ikjes së personelit shëndetësor jashtë Kosovës, e që sipas tij, është mjaftë shqetësuese, pasi që një numër i madh i mjekëve dhe infermierëve viteve të fundit ia kanë mësyrë Gjermanisë dhe vendeve tjera, për specializim dhe për ta ushtruar profesionin e tyre atje.

Sipas tij, Kosova po rrezikon që pas disa vitesh të mbes pa mjek.

“Këto kërkesa që po i bëjmë ne, kanë të bëjnë të paktën me u mundu, me e ndal këtë rrjedhën e trurit që po ndodh. Ju jeni dëshmitar që shtetet e Evropës kërkojnë shumë punëtorë shëndetësorë, veç Gjermania në vjet kërkon 120 mijë, tash kanë filluar edhe shtetet skandinave. Ju e dini që ato iu ofrojnë kushte më të mira... Ata do të ikin dhe janë duke ikur çdo ditë dhe tash ka me na u kthy neve si popullatë si boomerang. Unë vetëm një element po ua japi, një konkurs që ka qenë para disa ditëve për 6 radiolog teknik, nuk kemi mundur me gjetë. Mundeni me marrë me mend se pas disa viteve, nëse nuk ndërhyhet në shëndetësi, se në çfarë situate kemi me mbërri”, tha ai.

E fajin për këtë situatë të krijuar sipas tij, e ka politika, e cila sistemin shëndetësor e ka degraduar deri në këtë masë dhe nuk e ka vënë kurrë në prioritet.

“Me faktin që Qeveritë nuk janë marrë kurrë me shëndetësinë, fajtori duhet me u gjet tek politikanët, jo tek ne...Politika e ka degraduar me vet emërimet menaxheriale që i bënë, nuk e ka marrë seriozisht shëndetësinë kurrë, nuk është diskutuar. Kam thënë shpesh herë se kjo duhet me u kthyer në problem nacional. Nëse e duam një shtet të shëndoshë, duhet me pas një shëndetësi të shëndoshë. Popullata e shëndoshë ka me ecë nëpër asfalte që po i ndërtojnë, andaj politika është fajtore kryesore, për këtë gjendje në të cilën jemi ne dhe pacientët”, tha ai.