Arbëri

MMPH: Ndezja e gomave dënohet me ligj – ndalojeni këtë praktikë të pakuptimtë

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, paralajmërojnë ndëshkime për të gjithë ata që ndezin goma, një dukuri kjo mjaft e shprehur në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve – 1 Maj, gjegjësisht më 30 prill në mbrëmje.

Kjo ministri thotë se Ligji për mbrojtjen e ajrit, gjegjësisht Udhëzimi Administrativ për ndëshkime me gjoba mandatore, ndalon rreptësisht djegien e gomave.

“Me ligj dënohet çdo person që kryen një veprim të tillë”, thotë MMPH, raporton Koha.net.

MMPH thotë se ndezja e gomave në mjedis të hapur liron dyoksinën dhe materie tjera të rrezikshme. Ndërkaq, dyoksina dhe oksidet e tjera që lirohen nga djegia e gomave dhe materieve tjera shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore.

“Ndezja e zjarreve të tilla, veçanërisht gjatë ditës së nesërme, bart me vete pasoja të mëdha për mjedisin. Vazhdimi i një praktike të tillë, është e pakuptimtë dhe e dëmshme për Republikën e Kosovës dhe imazhin e saj”, deklaron kjo ministri.

Sipas Ministrisë së Ambientit, rastet kur nga pakujdesia, nga këto zjarre kanë pësuar fëmijë, ose janë djegur sipërfaqe të tëra me pyje kanë shënuar rritje.

“Ndezja e zjarreve pa kontroll ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut, pasurinë private dhe shoqërore, si dhe ka degraduar mjedisin tonë edhe ashtu në gjendje jo të mirë”, theksohet në komunikatën e MMPH-së.

Ministria e Mjedisit bënë me dije se gjatë ditës së sotme janë angazhuar inspektorët e saj, si dhe Policia e Kosovës dhe tërheq vërejtjen se kushdo që zihet, ose dëshmohet se ka ndezur zjarre do të dënohet sipas ligjeve në fuqi.