Arbëri

Peci thotë se Gjyqësori ka përfituar nga Programi për të Drejtat Pronësore

Descriptive Text

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga USAID, Programi për të Drejtat Pronësore, me rastin e përmbylljes së këtij programi, me ç’rast u prezantuan të arriturat e Kosovës, në këtë fushë, gjatë pesë viteve të fundit.

Sipas një njoftimi për medie, Peci ka potencuar faktin se për këto pesë vjet, përmes Programit të USAID-it për të Drejtat Pronësore, Kosova ka përfituar shumë në avancimin e të drejtave pronësore.

Sipas tij, falë realizimit të këtij projekti, Kosova dhe posaçërisht sistemi gjyqësor ka përfituar në kuptim të krijimit të sigurisë juridike dhe forcimit të sundimit të ligjit , si parakushte për zhvillim të mirëfilltë ekonomik për vendin.

“Duke marr parasysh sfidat e shumta, me të cilat, ne si shoqëri dhe si institucione, jemi ballafaquar në çështjet pronësore, konsideroj se Projekti USAID-it për të Drejtat Pronësore, ka luajtur rol kyç në adresimin dhe ndërmarrjen e aktiviteteve adekuate në përmbushjen e objektivave të tij”, është shprehur ai, transmeton Koha.net.

Sipas kreut të Supremes, përmes Programit për të Drejtat Pronësore, për vetëm 15 muaj angazhim të bashkëpunëtorëve profesional nga USAID-i në tri gjykata, koha mesatare e përfundimit të një lënde pronësore, ka rënë nga 1289 ditë në 920 ditë.