Arbëri

Pacolli në Senegal takon krerë shtetërorë të Afrikës

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli është duke qëndruar në Senegal në ceremoninë inauguruese të presidentit të këtij vendi.

Përmes disa postimeve në Facebook, Pacolli ka konfirmuar se me këtë rast është takuar me krerë të ndryshëm të shteteve të Afrikës, me ç’rast ka kërkuar bashkëpunime të më mëtutjeshme.

“Gjatë qëndrimit në Senegal pata nderin që të përfaqësoj Republikën e Kosovës, në ceremoninë inauguruese të presidentit të këtij vendi të rëndësishëm. Gjatë takimit që zhvillova me presidentin Macky Sall, në emër të shtetit të Kosovës i shpreha urimet dhe falënderimin për mbështetjen e parezervë ndaj vendit tonë. Kosova dhe Senegali kultivojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe. Ne jemi i vetmi vend në rajon që kemi hapur ambasadën në këtë vend afrikan”, ka shkruar Pacolli.

Ai gjithashtu është takuar me presidentin e Burkina Fasos, Roch Marc Christian Kaboré, për të cilin ai thotë se ishte një takim të frytshëm.

“Burkina Faso e ka njohur Kosovën menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, andaj kjo është shumë e rëndësishme për avancimin e bashkëpunimit bilateral. Burkina Faso ka qenë shembull edhe për shtetet tjera të kontinentit afrikan që të ndjekin rrugën e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, ka shkruar Pacolli.

Më tutje ai ka shtuar se, “gjatë qëndrimit në Senegal, shfrytëzova rastin që me presidentin e ri të Republikë Demokratike të Kongos, Felix Tshisekedi, të bisedojmë për mundësinë e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimit dypalësh mes dy shteteve tona. Presidentit Tshisekedi i prezentova realitetin e Kosovës të argumentuar edhe me vendimin e GJND se pavarësia e Kosovës ka qenë në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare, duke i kërkuar formalizimin e aktit të njohjes si respekt ndaj ligjeve dhe vullnetit të qytetarëve të Kosovës”.

Sipas Pacollit bashkëpunimi i Kosovës me Republikën Demokratike të Kongos është shumë i rëndësishëm.

Ai gjithashtu ka takuar edhe presidentin e Gambisë, Adama Barrow.

“Presidenti Barrow, konfirmoi mbështetjen e plotë për secilin hap ndërkombëtar të Kosovës. E drejta e vendit tonë është e pakontestueshme andaj edhe mbështetja e secilit shtet anëtar të OKB në këtë rrugë është e jashtëzakonshme dhe si asnjëherë më parë”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

E në Senegal ministri i Jashtëm i Kosovës ka takuar edhe kryeministrin e Sao Tome, Patrice Emery Trovoada.

“Falënderim dhe respekt për kryeministrin Trovoada për mbështetjen ndaj Kosovës në secilin aspekt. Natyrisht, përkundër secilit “pretendim” Don kishotesk të fqinjëve tanë verior, mbështetja e Sao Tome asnjëherë nuk ka munguar. Kryeministri Trovoada u zotua se vizitën zyrtare në Kosovë do ta zhvillojë në të ardhmen e afërt”.

Ai ka takuar në Senegal edhe ish-sulmuesin e Milanit, George Weah, që është president i Liberisë.

Me të thotë të ketë biseduar edhe për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll.

“Në Dakar të Senegalit ku po marr pjesë në inaugurimin e presidentit, takova edhe presidentin e Liberisë George Weah. Presidenti Weah i cili është edhe mik i vjetër i imi, edhe njëherë rikonfirmoi mbështetjen e parezervë të vendit të tij për Republikën tonë. Presidentin Weah, dikur fitues i topit të artë të Evropës në futboll, e informova për ecurinë e djelmoshave tanë të kombëtares së futbollit, duke i përmendur edhe rekordin e vendosur pa humbje. Kënaqësi dhe krenari e madhe që me këto rezultate të mrekullohet edhe një kampion si Weah”, ka shkruar Pacolli.