Arbëri

Nga 204 lëndë të gjykuara të korrupsionit, vetëm 27 të nivelit të lartë

Miliona euro llogaritet se i janë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit nga keqpërdorime të ndryshme me vepra penale që lidhen me korrupsion, por dënimet vazhdojnë të jenë minimale.

Nga 204 raste të korrupsionit, të cilat janë zgjidhur nga organet e drejtësisë, 27 prej tyre janë të nivelit të lartë, raporton KTV.

Por, nga këto raste, tetë të pandehurve u janë shqiptuar dënime me kusht, që kryesisht janë deri 12 muaj burgim, e të tjera dënime me gjobë.

Në mesin e të dënuarve ka ministra, kryetarë komunash, zyrtarë të policisë e drejtorë të arsimit komunal, zyrtarë ministrorë.

Të dhënat janë bërë publike nga Komisioni Konsultativ për Politikë Ndëshkimore.

Kryetari i Supremes që edhe kryeson këtë komision, ka thënë se përmes kësaj analize, jepet mundësi që sistemi gjyqësor të përmirësohet.

Komisioni Konsultativ për Politikë Ndëshkimore do të vazhdojë monitorimin e rasteve të korrupsionit derisa u tha se raporti i radhës do të jetë më i detajuar.