Arbëri

“Nuk duhet të lejojmë që kauzat fiktive të disa politikanëve të sfidojnë zhvillimin e vendit”

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se kauzat fiktive të disa politikanëve në Prishtinë nuk guxojnë të sfidojnë zhvillimin e qyteteve tona.

Përmes një postimi në Facebook, kreu i ekzekutivit ka treguar për aktivitetet e tij të sotme në Komunën e Dragashit.

“Nuk duhet të lejojmë që kauzat fiktive, popullizmi banal, folklorizmi dhe protagonizmi ditor i disa politikanëve në Prishtinë, të sfidojnë zhvillimin e qyteteve tona duke përfshirë këtë Komunë piktoreske, e cila ka aq shumë potenciale për progres dhe njerëz aq punëtorë e të sinqertë”, është shprehur Mustafa, raporto Koha.net.

Ai ka vlerësuar vullnetin, përkushtimin dhe vizionin e qartë që banorët e viseve të ndryshme të Kosovës kanë për vendin ku jetojnë dhe për të ardhmen e shtetit.

“Sot, përuruam edhe fillimin e punimeve në ndërtimin e rrugës Dragash-Shishtavec, aks shumë i rëndësishëm rrugor që lidh fshatrat ku jetojnë banorë të komuniteteve të ndryshme dhe mundëson shkëmbime më të lehta me vendbanimet në Shqipëri”, deklaroi kryeministri Mustafa.