Arbëri

Këtë verë në dy parqet kombëtare lejohet prerja e drunjve e kufizuar vetëm për pronarët

Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, në Express Intervistën në KTV, ka folur për dëmet e shkaktuara nga zjarret në Kosovë.

Ai tha se sivjet djegia e tyre ka filluar më herët se vitet e kaluara.

”Ka filluar djegia në disa pika që nuk e kemi pritur. Fatmirësisht në disa male ka ende borë”, tha ai.

Barishtet e thara, malet, e pjesët që janë terur para kohe, ai tha se janë lehtë të ndezshme, e kjo po ndodh edhe nga faktori njeri, e edhe nga tharja e lumenjve.

Morina tha se ka rreth 5 vite që nuk ka djegie të parqeve, por vetëm të maleve, këtë ai e quajti lajm të mirë.

“E kemi një lajm të keq për ata persona që duan të prenë e të djegin male e drunj. Këtë verë në dy parqet kombëtare, do të lejohen vetëm pronarët të prenë deri në 2 m k drunj, pra drunj për djegie, të tjerët nuk mund të bëjnë as pastrim sanitar. Kështu, kërkoj edhe nga agjencitë simotra të marrin masa”, tha ai.

Morina fajësoi Qeverinë e Kosovës se nuk po përkrah agjencitë as financiarisht për t’u ndaluar këto probleme.

"S'mund të fajësojmë agjencitë, duhet të fajësojmë qeverinë që nuk po përkrah mjaftueshëm këto agjenci”, tha ai.

“Agjencia e zjarreve dhe mjedisit, s’kemi financa të mbulojmë edhe zjarrfikësit. Ata rrezikojnë edhe veten për të fikur zjarre”, tha tutje.

“Shumica e pjesëve që digjen nëpër Kosovë, janë pjesë ku edhe zjarrfikësit s’mund të arrijnë menjëherë. Psh, në Deçan kemi pas ndërhyrje të KFOR-it”, tha Morina.

Morina tha praktika e djegieve të sanishteve, është praktikë e keqe nga njerëzit.

“Në vende të huaja, ta zëmë, e obligojnë qytetarin që të bëhet djegia të dielave, ose një ditë tjetër të javës. Por tek ne ka edukatë të ulët sepse ua vënë flakën dhe s’i bëhet vonë se si ndalet ajo, digjet një pjesë shumë e madhe e tokës”, tha ai.

Morina tha se si Agjenci për Mbrojtjen e Mjedisit, kanë marrë vendim që assesi të mos shfrytëzohen pyjet por të mbrohen ato.