Arbëri

Kryeministri u rikthehet përplasjeve me zyrtarët e Brukselit

Foto: Koha

Kryeministri Ramush Haradinaj u është rikthyer përplasjeve me zyrtarët e Brukselit, në trevjetorin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Këtë e ka bërë pasi shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian, Natalia Apostolova, në një tryezë të përbashkët ia ka përsëritur atij kërkesën për heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

E Haradinaj nuk është marrë me Apostolovan, por me shefen e saj në Bruksel, Federica Mogherini, të cilën e ka akuzuar se me dialogun rreth kufijve e ka dëmtuar edhe marrëdhënien kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së.

Përfaqësuesja e BE-së, Apostolova, ka ftuar institucionet që t’i thërrasin mendjes dhe të tregojnë përkushtim në përmbushjen e detyrimeve, shkruan sot Koha Ditore.

“Fatkeqësisht ka vendime kundër zotimeve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Është taksa ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë- Hercegovina. Siç kemi deklaruar, tarifa 100 për qind nuk është vetëm shkelje e CEFTA-s, por edhe kundër frymës së MSA-së”, ka thënë Apostolova në tryezën e organizuar nga instituti “Epik”, ku u prezantua raporti për detyrimet dhe përfitimet e Kosovës në kuadër të MSA-së. Apostolova ka përmendur edhe pasoja tjera nga mbajtja në fuqi e taksës.

“Do ta dobësojë rrugën konkurruese dhe e bën Kosovën më pak atraktive për investime. Çdo barrierë tregtare është kundër frymës së MSA-së”, ka shtuar Apostolova.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)