Arbëri

SHSKUK demanton shifrat e vdekshmërisë në Klinikën Invazive

Descriptive Text

Pretendimet se ndarja e njësisë së Kardiologjisë Invazive nga Kardiologjia dhe bartja e saj te Kardiokirurgjia ka ndikuar që për 15 për qind të rritet numri i vdekjeve intra hospitalore nga infarkti akut i miokardit, në një konferencë për media i ka hedhur poshtë sot drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu.

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, tha se ka tendenca nga individë të caktuar që nuk janë pjesë e QKUK-së, që të shkaktojnë panik te pacientët.

Teksa ka folur për të arriturat në sektorin e shëndetësisë, tha se është rritur besimi i pacientëve ndaj këtij institucion shëndetësor.

Me qëllim të një trajtim sa më të shpejt, Sejdiu tha se do të fillojë projekti për trajnimin në dy orët e para të infarktit akut.

“Ka pasur tendenca të individit që të shkaktoj panik te popullata dhe te pacientët tanë me motive shumë të ulëta që pacientët tanë mos të trajtohen këtu, por të trajtohen nëpër spitale private...besimi ekziston por vërehet te popullata dhe te pacientët tanë, motivet e ulëta nuk do t’i lejojmë asnjëherë që të kthehemi në të kaluarën. E dimë që në Qendrën Klinike Universitare duke filluar nga qendra emergjente, njësia koronare ka qenë një zonë transite, brenda natës ka pasur individë që ka referuar 16 pacientë për t’u trajtuar në spitale private, nuk jemi kundër spitaleve private, janë aset i joni, mirëpo Qendra Klinike duhet të jetë një qendër referente e cila i ka dyer e hapura pavarësisht atyre a kanë apo nuk kanë para”, tha Sejdiu.

Po ashtu, drejtori i SHSKUK-së tha se shtimi i pacientëve që trajtohen në këtë klinik ka bërë që të ketë shtim të vdekshmërisë për 3 për qind.

Sejdiu i pyetur se a ndërlidhet me gjëra personale ky punim i Gani Bajraktari, tha se kjo nuk është aspak individuale, pasi që po rrezikohen më shumë persona.

Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive, Tefik Bekteshi, i cili edhe foli për shifrat, tha se vdekshmëria prej 15 për qind nuk ekziston fare.

Ai tha se edhe stendat që përdoren u takojnë standardeve evropiane dhe janë prodhim i Polonisë, e jo siç thuhej prodhim nga Kina.

Ai tha se vitin e kaluar Klinika e Kardiokirurgjisë janë kryer 212 operacione, ndërsa në tre mujorin e parë të këtij viti janë kryer 56 operacione.

“Në vitin e kaluar kemi pasur vdekshmërinë te infarkti akut 3.58 është fjala tek infarkti akut te rastet elektive. Ne kemi një vdekje mos i përzieni iu kisha lutur sepse rastet elektive janë ato që i përgatisim për intervenim dhe përputhen me të gjitha statistikat të çfarëdo institucioni në botë që ka këtë vëllim të punës. Prej këtij viti punojmë me dy salla të kardiologjisë invazive dhe kemi pasur me siguri numër më të madh të procedurave, gjithashtu i kemi dy salla që punojnë në kardiokirurgji...Vdekshmëria prej 15 për qind fare nuk flitet sa i përket kardiologjisë invazive ”, tha Bekteshi, raporto Kosovapress.

Drejtori i SHSKUK-së i pyetur rreth kostos së transformimit farmeceotik që do ndodh, tha se ende nuk dihet se sa do kushtojë një transformim i tillë.

“Ajo se sa do të na kushtoj saktë nuk e dimë sa do të kushtoj. Është bërë projekti ato merren me shërbime teknike por ajo që është e rëndësishme me ditë që barnatoret qendrore materiali, barnat dhe materiali shpenzues kur vjen në barnatore qendrore do të shpërndahet në mënyrë softuerike nëpër të gjitha barnatoret kliniket që janë krijuar, do krijohen edhe barnatoret e reparteve”, tha ai.

Sejdiu po ashtu ka folur edhe për mungesën e disa gjërave elementare në klinikat e QKUK-së, teksa tha se janë duke nënshkruar kontrata të shumta për furnizim të klinikave.

Gjatë kësaj konference u tha se së shpejti do të hapet edhe kardiokirurgjia pediatrike dhe për këtë edhe një ekip mjekësor janë duke u trajnuar.