Arbëri

Malisheva kujton masakrën më të madhe të para 20 vjetëve, atë te Vrella e Mëhillit

26 vjeçarja, Agnesa Paçarizi po jeton me mallin për ta njohur babanë e saj, që pak e mban mend.

Kishte qenë vetëm 6 vjet kur ishte ndarë nga ai marsin e vitit 1999 për të mos e parë më kurrë.

Agnesa, babanë Shefki Paçarizi në 20 vjetorin e vrasjes në masakrën e Burimit, po e nderon me një tufë lule te varri i tij.

Shefki Paçarizi dhe Muharrem Paçarizi, babë e bir ishin pushkatuar bashkë me 40 persona të tjerë 31 marsin e 1999-s në vendin që njihet si Vrella e Mëhillit në Burim të Malishevës.

Pranë varreve të tyre shumë familjarë janë mbledhur për t’i nderuar, në mesin e tyre edhe motra e Muharremit, së cilës plagët e dhimbja për vëllanë nuk iu shua as pas 20 vjetësh.

Familjarët e viktimave janë ndier të lehtësuar që për herë të parë pas luftës për ta kujtuar Masakrën e Burimit ka pasur organizim institucional.

Në vendin ku 42 shqiptarët ishin masakruar nga serbët, është vënë gurthemel i një Kompleksi Memorial.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj e kryetari i Malishevës Ragip Begaj kanë thënë se duhet hetuar secila masakër që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

Ndërkohë masakrës i kishte shpëtuar vetëm Nuredin Morina, i cili vdiq nëntorin e vitit të kaluar në moshën 85 vjeçare.

Ai është varrosur në mesin e viktimave të tjera të masakrës në fshatin Dragobil.