Arbëri

Në Pastasellë të Rahovecit përkujtohen 106 civilët e vrarë nga forcat serbe, 20 vjet pas kërkohet drejtësi

Më 31 mars të vitit 1999, forcat serbe rrethuan fshatin Pastasellë të komunës së Rahovecit, për të vrarë e masakruar 106 civilë, përfshirë edhe ata që ishin strehuar aty.

Në mesin e të vrarëve ishte edhe 16-vjeçari Armend Mërlaku, nga komuna e Klinës.

Trupi i Armendit, edhe pas 20 vjetësh, ende nuk është gjetur, raporton KTV.

Nëna e tij, e cila ka të vrarë edhe burrin, me lot kujton momentin kur serbët ia morën nga duart djalin e saj.

Në ditën e fundit të muajit mars, janë kujtuar 106 të vrarët në masakrën e Pastasellës.

Familjarët e viktimave vazhdojnë që të kërkojnë drejtësi, derisa fajësojnë e kritikojnë politikanët se nuk e kujtojnë mjaftueshëm të kaluarën e vendit.

Nga masakra mbijetuan vetëm 13 persona, e disa prej tyre dëshmuan edhe në Tribunalin e Hagës, për tmerrin që kishin përjetuar 20 vjet më parë.

Në përkujtim të masakrës së Pastasellës, kryetari i komunës së Rahovecit, ka kërkuar zbardhjen e çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës, si dhe drejtësi në raport me kryerësit e këtij krimi.