Arbëri

Limaj: Pa dënimin e kryesve të vrasjeve, nuk mund të jetojmë të qetë

Në Burim të Malishevës, në njëzet vjetorin e masakrës së Burimit, është mbajtur një tubim përkujtimor, në shenjë kujtimi për të vrarët në këtë masakër.

I pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, i cili ka thënë se nuk do të jetojnë të qetë pa dënimin e autorëve të vrasjeve.

“Duhet të hetohet secila masakër që ka ndodhur në vend. Çdo masakër duhet të hetohet deri në fund dhe kryesit e këtyre vrasjeve të dënohen. Ne nuk mund të jetojmë të qetë, deri në zbardhjen dhe dënimin e këtyre vrasësve”, ka thënë Limaj, bëhet e ditur në një njoftim për medie nga Komuna e Malishevës.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e ka vlerësuar si ngjarjen më të dhimbshme në Malishevë, që ka ndodhur gjatë luftës së fundit.

“Kjo masakër dhe masakrat tjera, kanë qenë një hakmarrje e çetnikëve, në pamundësi të ndalej së luftës së drejtë të popullit shqiptar për liri”, ka thënë ai.

Pas kësaj, është vënë edhe gurë-themeli i ndërtimit të kompleksit memorial për masakrën e Burimit, në vendin e rënies, tek Vrella e Mëhillit.

Në masakrën e Burimit, janë vrarë 34 persona nga fshatrat Astrazup dhe Dragobil, si dhe tetë persona tjerë janë vrarë përreth Burimit, po më 31 mars të vitit 1999.