Arbëri

Përkundër apelit të Policisë, digjet mali në Zubin Potok

Ndonëse sot Policia e Kosovës, bëri apel ndaj qytetarëve që të mos ndizen zjarre në natyrë, ato megjithatë s’kanë të ndalur.

“Zjarrvënia është vepër penale, Policia e Kosovës do të hetojë të gjitha këto rastet dhe ndaj kryerësve të këtyre veprave kundërligjore do të ndërmarrë masa dhe të gjitha lëndët do të procedohen tek organet e drejtësisë”, thuhet në apelin e sotëm të PK-së.

Koha.net ka siguruar disa fotografi ku shihet tek digjet një pjesë e një mali në Zubin Potok. Fotografitë janë realizuar para pak çastesh.

{gallery}

“Policia e Kosovës kërkon dhe apelon nga të gjithë qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos ndezin zjarre në natyrë”, thuhet tutje në apelin e Policisë.

Ky apel i Policisë ka muaj që bëhet tek qytetarët. Por veç në raportin e sotëm 24 orësh të policisë, u raportuan 6 incidente nga zjarri.

Zjarrvënie u raportuan në fshatin Ribar i Madh në Lipjan, fshatin Mramor, Prishtinë, fshatin Burnik të Ferizajt, në fshatin Turjakë të Pejës, në Zveçan dhe në fshatin Zagujl, Zubin Potok, ku u përfshi nga zjarri edhe një shtëpi pa banuar.