Arbëri

Mustafa kërkon unitet në LDK

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, mori pjesë në shënimin e 27 vjetorit të themelimit të degës së LDK-së në Dragash. Ai tha se kjo degë është shembull shumë i mirë i angazhimit, duke veçuar praninë e shumë të rinjve si një tregues të suksesit të kësaj Dege.

Mustafa, që njëherësh është edhe kryeministër i vendit, veçoi përkushtimin e veçantë të partisë që ai drejton për zhvillimin e vendit, si një parti me përgjegjësi të vazhdueshme që nga vitet e 90-ta, në krye me Presidentin Rugova, në shpalljen e Pavarësisë, dhe tani në shtetndërtimin dhe në zhvillimin demokratik dhe ekonomik në Kosovë.

Kryetari Mustafa theksoi po ashtu se tani LDK-ja ka një barrë të veçantë dhe po angazhohet që ta kapërcejë një fazë që nuk është shumë e lehtë, me papunësi, me nevojën e zhvillimit ekonomik, me procese evropiane që duhet të kalohen domosdoshmërisht, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të jenë të barabartë me të tjerët dhe të lëvizin lirshëm.

Ai theksoi se me gjakftohtësi dhe me maturi, në interes të qytetarëve, “LDK do të marrë vendime që nuk janë të lehta, por janë në dobi të qytetarëve”, duke theksuar domosdoshmërinë që LDK të jetë unike, të jetë e fortë dhe e qëndrueshme, parti e cila ka një zë, por një parti brenda të cilës zhvillohen debate dhe diskutime të ndryshme.

“Unitetin në LDK e shoh kur njerëzit tanë i respektojnë qëndrimet e forumeve, të Kuvendit të LDK-së, qëndrimet e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, qëndrimet e Kryesisë dhe çdo strukture të LDK-së. Duhet të jemi bashkë në qëndrime, në politikat dhe programin politik të LDK-së”, theksoi Mustafa, raporton Koha.net.

Kryetari Mustafa, po ashtu, tha se që në ditën e parë të punës, kjo Qeveri është ballafaquar me kërkesën për zgjedhje, me veprime të dhunshme, me sulme dhe probleme, por ka ecur përpara.

“Është sukses i kësaj Qeverie që në këto rrethana kemi arritur rritjen ekonomike më të madhe në Ballkanin Perëndimor, kemi ulur papunësinë dhe do ta ulim prapë, pavarësisht vështirësive”, tha Mustafa, duke shtuar se “LDK-ja është parti e cila respekton kontratën edhe se kjo Qeveri po e përmbush programin qeverisës dhe premtimet që i ka dhënë qytetarëve në Dragash dhe në komunat tjera”.

“Ne kemi për detyrë që ta marrim barrën që të qeverisim sa më mirë dhe t’i kontribuojmë qytetarëve tanë”, tha ai.

Në fund, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa shprehu mirënjohje për Degën e Dragashit, për përkushtimin dhe përkrahjen e proceseve integruese pa të cilat nuk mund të shkohet përpara, në miqësi të përhershme me SHBA-të.

Ndërkaq, në fjalën e tij, kryetari i LDK-së në Dragash, Selim Kryeziu, theksoi se kjo Degë është duke punuar me përgjegjësi që këtë vit të kthehet në qeverisjen e Komunës së Dragashit, duke theksuar se kësaj komune i duhet një qeverisje më e përgjegjshme e cila sigurohet pikërisht nga programi i LDK-së.

Kryeziu foli edhe për Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Mustafa, duke theksuar se kjo është qeverisja më e mirë dhe më e përgjegjshme që ka pasur deri më tani Kosova, duke shprehur përkrahjen e plotë të Degës së LDK-së në Dragash.

Ai, po ashtu, bëri të ditur se dega të cilën ai e udhëheqë, një javë më parë ka mbajtur mbledhjen e kryesisë, dhe ka shprehur edhe një herë përkrahjen për Qeverinë e Kosovës të kryesuar nga Akademik Isa Mustafa, dhe të njëjtën kohë kanë kërkuar dhe kanë inkurajuar deputetët e Parlamentit të Kosovës ta votojnë demarkacionin.

“Në këtë mënyrë ne do t’i mundësojmë qytetarëve tanë lirinë e lëvizjes ashtu qysh e kanë të gjithë qytetarët e Evropës. Nëse Komisioni Shtetëror thotë që Kosova nuk humb asnjë milimetër territor, nëse Qeveria e thotë të njëjtën gjë, nëse Akademia e Shkencave dhe Arteve dhe Kryetari i saj thotë se Kosova nuk humb asnjë milimetër tokë, nëse BE-ja thotë se është në rregull, nëse SHBA-ja ka thënë se Kosova nuk humb, s’besoj se amerikanët dhe NATO që luftuan për ta çliruar Kosovën, që më pas një copë territori t’ia japin një shteti tjetër”, tha ndër të tjera Kryeziu.

Në fund, Mustafa dhe Kryeziu, kanë shpërndarë simbolikisht librezat për 27 të anëtarë të rinj të LDK-së, të cilët janë anëtarësuar në këtë përvjetor.