Arbëri

Haradinaj pas votimit në PE: BE-ja t’i japë drejtim çështjes së vizave

Foto: Alban Bujari / Koha Ditore

Pas votimit në Parlamentin Evropian ku u konfirmua për të dytën herë mandati për fillimin e trialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai thotë se një vullnet kaq i fuqishëm politik që buroi sot nga Parlamenti Evropian në Strasburg, rikonfirmon për të disatën herë se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kushtet e parashtruara, siç e ka konfirmuar edhe Komisioni Evropian në Bruksel vitin e kaluar.

Haradinaj shtoi se është tërësisht e padrejtë, frustruese, dhe dekurajuese që qytetarëve të Kosovës vazhdon t’u mohohet e drejta e fituar për lëvizje të lirë në Evropë.

“Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, u bëjmë thirrje kryeqyteteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që t’i japin drejtim dhe epilog çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, si e drejtë e fituar dhe e pakontestueshme, tani kur bëhen shtatë vjet nga data kur na është dorëzuar udhërrëfyesi për vizat”, vijoi Haradinaj.

Kreu i Qeverisë tha se mbesim të fokusuar për avancimin e rrugës së Kosovës drejt Bashkimit Evropian, dhe tha se u qëndron fuqishëm besnike vlerave dhe parimeve për të cilat tha ai “jemi zotuar bashkë në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”.