Arbëri

Nënshkruhet Memorandum Mirëkuptimi mes Qeverisë së Kosovës dhe UNOPS për Regjistrimin e Popullsisë

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi në mes të Qeverisë së Kosovës dhe zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve – UNOPS, për Regjistrimin e Popullsisë, Banesave dhe Ekonomive Familjare në Kosovë, projekt ky që pritet të nisë në vitin 2021. Projektin e implementon Agjencia e Statistikave e Kosovës-ASK.

Me rastin e nënshkrimit të memorandumit, zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se ky proces është me rëndësi kapitale, andaj, duhet një angazhim i të gjithëve që të realizohet me profesionalizëm të lartë dhe sipas standardeve ndërkombëtare, të jetë kredibil si në aspektin nacional poashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Sipas memorandumit të nënshkruar, Agjencia e Statistikave të Kosovës si bartës i projektit do ta zbatojë projektin në bashkëpunim të ngushtë me UNOPS-in, i cili do të menaxhojë me fondin e krijuar për mbulimin e shpenzimeve të aktiviteteve të projektit.

“Fondi do të menaxhohet si program, gjegjësisht Multi Partner Fund, në të cilin, krahas Qeverisë së Kosovës, do të bashkohen edhe partnerë dhe donatorë të tjerë potencial ndërkombëtarë, siç janë: Zyra e BE-së, Swiss Development Cooperation, Qeveria e Gjermanisë, Qeveria e Suedisë – SIDA, Qeveria e Norvegjisë, Luksemburgut, Danimarkës, si dhe përfaqësitë e qeverive tjera dhe donatorët tjerë në Kosovë”, tha zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Projekti do të qeveriset përmes Bordit të Projektit, gjegjësisht Komitetit Drejtues, anëtarë të të cilit do të ishin të gjithë pjesëmarrësit në fond. Qeveria e Kosovës do të financojë 40% të projektit dhe partnerët dhe donatorët ndërkombëtarë 60%.

“Zyra ime në bashkëpunim të ngushtë me ASK dhe UNOPS-in do të bëjnë përpjekje të përbashkëta për sigurimin e mjeteve të nevojshme për implementimin e suksesshëm dhe pa pengesa të projektit”, ka përfunduar Hoxhaj.