Arbëri

Haradinaj: Është bërë e vështirë t’i besohet Evropës

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se është bërë e vështirë t’u besohet fjalëve të përfaqësuesve të Evropës, duke e lidhur këtë me procesin e liberalizimit dhe dialogun me Serbinë.

Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se dialogu duhet të vazhdojë dhe se vendosja e pengesave s’është në rregull.

“Qysh t’i besojmë evropianëve që na thanë njëherë dialogun, pastaj taksën, e ku ta dimë çka na thuhet më tutje. Është bë vështirë t’iu besohet. Mogherini e të tjerët na kanë thënë kryeni këtë se e keni liberalizimin. Megjithatë, ne po punojmë në shumë drejtime. Rumania e ka tash presidencën. Është pozitive. Pastaj është Finlanda. Kanë detyra në Parlament e mbajmë shpresë që do të vijë dita. Na kanë thënë se nuk vjen me automatizëm pas kryerjes së kushteve për shkak të zgjedhjeve të tyre. Kisha pas veç një thirrje për qytetarët shqiptarë që votojnë në Evropë ta shfrytëzojnë të drejtën e votës e të jenë qytetarë aktivë të Evropës”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Haradinaj ka thënë se është e paimagjinueshme që i thuhet Kosovës të plotësojë kushte për të shkuar në tavolinë me Serbinë.

“Sot po vi këtu nga tri lokacione të masakrave ndër më tragjiket që ka pësuar populli i Kosovës, me qindra të vrarë e me gjithë këtë situatë jemi ulur në tavolinë. Imagjino sot t’i thoni Kosovës plotëso kushte për të ardhur në tavolinë. Është e habitshme si ka ardhur kjo gjendje. Bëj apel të kthehet tavolina e të zgjidhen temat e hapura me njohje reciproke në kufijtë aktualë, e ku do të kishim tregti të lirë”, ka deklaruar më tej ai.

Haradinaj po ashtu ka komentuar edhe ankesat se mbyllja e kazinove dhe lojërave të fatit do të lërë mijëra njerëz pa punë. Ka thënë se edhe ky ligj ka koston e vet, por ka shtuar se të paktën “po ndalet një abuzim total”.

“Për vendet e punës jemi të gatshëm t’i trajtojmë me aq sa mundemi të gjithë ata që kanë punuar aty. Është e vështirë. Është një abuzim total dhe mirë që po ndalet. Ne e kemi kryer pjesën tonë. Ata që e kanë pas pikëpamjen ndryshe për ne e kanë mundësinë të aprovojnë ligjin”, ka thënë ai.

Duke folur për raportimet se institucionet janë nën presion për të hetuar aksionin policor për arrestimin e Marko Gjuriqit, shef i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Haradinaj ka thënë se analiza për të parë nëse ka pas shkelje eventuale bëhen për të gjitha rastet.