Arbëri

Goditja historike

Foto: Alban Bujari / Koha Ditore

Dielli kishte lindur nga perëndimi në Kosovë, në natën e 24 marsit të dy dekadave më parë. Pak para se akrepat të tregonin orën 20:00, errësirën e dendur me të cilën mbështillej qielli i këtij vendi, e kishte përshkuar një dritë e fuqishme e shfaqur në horizontin kah Shqipëria e Mali i Zi, për të shkuar rrufeshëm kah veriu, në kufirin me Serbinë.

Ishte kjo një nga raketat e para që Aleanca Veriatlantike i kishte nisur nga bazat e saj në Itali, drejt caqeve ushtarake të ish-Jugosllavisë, në përpjekje për t’iu dhënë fund mizorive që regjimi i Slobodan Milosheviqit atëkohë i kryente kundër shqiptarëve të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

NATO-ja e kishte ditur mirë se kë kishte cak. E kishte goditur qendrën e radarëve në Pançiq, pikë kjo më strategjikja e vëzhgimit në gjithë Ballkanin, e që ndodhet në majë të Kopaonikut, diku 300 metra brenda territorit të Kosovës dhe që shfrytëzohej nga ushtria jugosllave.

Atë natë Agimi kishte vetëm tri ditë pa i mbushur të shtatëmbëdhjetat, dhe për ditëlindjen nuk kishte mundur të bënte plane për ta shënuar në shtëpinë e tij në Gllanasellë të Drenasit, bile as me anëtarët e familjes. Ai bashkë me disa kushërinj të moshave të ndryshme ishte katandisur në një fshat tjetër të kësaj komune, në Tërdec, i përndjekur nga forcat serbe si e tërë Kosova.

Kur nata kishte rënë, ai kishte dalë nën qiell të hapur për të parë atë që po pritej kaherë – momentin kur forcat e NATO-s do të përmbushnin premtimin dhe do të nisnin sulmin ajror kundër forcave serbe në ish-Jugosllavi, një territor që atëkohë e përbënin Serbia, Mali i Zi e Kosova.

Terri tashmë kishte rënë dhe dhjetëra meshkuj civilë të mbledhur në një nga shtëpitë e këtij fshati malor të Drenicës po mbanin kokat lart për të parë dritën e pritur.

“Dëgjuam në lajme se NATO-ja do të intervenojë. Filloi errësira, por ne vendosëm të dëgjojmë bombën e parë, dhe fare nuk hymë brenda. Më kujtohet kur diku pak para orës 20:00 pamë një dritë të madhe në qiell”, kujton Agimi. “Pak më vonë e dëgjuam edhe shpërthimin e madh”.

I kujtohen edhe fjalët e xhaxhait të tij, Sheqirit, që e kishte pasur aty pranë.

“Bomba e parë ra. Zhig tjetër nuk kam në këtë jetë”, përsërit ai fjalët e plakut, që ishte masakruar nga forcat serbe dy muaj më vonë....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)