Arbëri

Të hyrat e Doganës nga akciza e lojërave të fatit janë rritur për 3.4 mln. Euro në krahasim me 2017

Descriptive Text

Dogana e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, ka dhënë shifra për aksionet e saj në lidhje me kazinotë, bastoret sportive dhe lokalet që ushtrojnë veprimtari të ngjashme.

Sipas njoftimit, Dogana ka arritur që gjatë vitit 2018 të rrisë inkasimin e tatimit të akcizës të lojërave të fatit dhe shtimit të numrit të kundërvajtjeve në këtë fushë, që kanë prodhuar efektin e afro 3.4 milionë euro më shumë të hyra se në vitin paraprak.

Dogana potencon se janë 15,874,729.84 euro në total të hyra nga akciza e lojërave të fatit, ndërsa rritja në krahasim me vitin paraprak, 2017, është +27%.

“Të hyra nga akciza edhe në vitin 2019, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2018, kemi më shumë, prej rreth +20.58%”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Dogana njofton se gjatë vitit 2018, përmes njësive të saja, ka intensifikuar kontrollet dhe ka organizuar operacione të përbashkëta në terren së bashku me agjencionet tjera të zbatimit të ligjit si: ATK, Policinë e Kosovës si dhe Inspeksionet komunale për kontrollin e subjekteve të Lojërave të Fatit.

Tek lojërat e fatit, Dogana thotë se këtë vit janë zbuluar 283 raste të kundërvajtjeve dhe janë shqiptuar gjoba në vlerë të të hyrave prej 310 mijë e 800 euro.

Sipas komunikatës, veprimtaria nga ana e Doganës për mbledhjen e taksës së akcizës bazohet në legjislacion, në autorizimet dhe licencat nga vendimet gjegjëse të ATK. Edhe në aspektin e importit për aparate të lojërave të fatit, bazuar në rregullativën në fuqi, duhet të merret aprovim nga Divizioni i lojërave te fatit në ATK. Pasi të merret pëlqimi i ATK-së, aparatet lejohet të zhdoganohen, dhe në qarkullim të lirë dalin tek pasi të lëshohen vendimet e ATK-së.

Konfiskim i aparateve gjatë 2018: 270 cp;

Pajisje tjera për lojëra të fatit të konfiskuara: 400 cp;

Gjoba për pika basti të palicencuara: 185 raste

Vlera e mallit të konfiskuar: rreth 473,850.00 euro