Arbëri

Haradinaj thotë se është koha e duhur që secili ta korrektojë vetveten

Nën kryesimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është mbajtur takimi i radhës i nivelit të lartë të sundimit të rendit dhe ligjit, në të cilën janë prezantuar të arriturat e fundit, nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në këtë takim, është diskutuar për rastet e shënjestruara, gjendja e zbatimit të tyre, hapat e ndërmarrë dhe sfidat, mosndëshkueshmëria dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Haradinaj ka thënë se është koha e duhur të korrektojë secili vetveten, në mënyrë që rendi dhe ligji të jetë më efikas dhe në mënyrë që qytetarët tanë të rrisin besimin në rend dhe ligj.

Kryeministri tha se secili nga pjesa e vet e përgjegjësisë duhet të mendojë në realizimin e objektivave të përcaktuara, për përmirësimin e gjendjes në fushën e sundimit të rendit dhe të ligjit, që sipas tij është edhe kërkesë e vazhdueshme e miqve të Kosovës.

“Të arrijmë rezultate nga puna jonë e përbashkët. Qasja e ballafaqimit duhet të shfrytëzohet nga të gjithë ne, në përmirësimin e gjendjes për të mirën tonë. Të vetëdijshëm se kemi ende punë për të bërë, për të dëshmuar sa duhet vullnet politik dhe vendosmëri në vendosjen e shtetit ligjor, në etapën para nesh sistemi i drejtësisë duhet të ketë synim parësor përfundimin me sukses të të gjitha rasteve të shënjestruara dhe të luftojë me efikasitet mosndëshkueshmërinë”, tha Haradinaj, transmeton Koha.net.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka përmendur Kodin e ri penal, ligjet komplementare të fushës kundër korrupsionit, si Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së fituar me Vepër Penale, duke i cilësuar si ligje të cilat do të fuqizojnë luftën kundër korrupsionit, rritjen e llogaridhënies dhe integritetin e zyrtarëve publik.

Ndërsa, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, para të pranishmëve prezantoi rezultatet në trajtimin e lëndëve të shënjestruara që kanë të bëjnë me korrupsionin, korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, të cilat përzgjidhen nga ekipi i përbashkët ndërinstitucional i udhëhequr nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Me urdhër të Prokurorëve të Shtetit janë ndërmarrë masa dhe veprime të cilat kanë rezultuar me zgjidhjen e 75.000 dosjeve penale të natyrave të ndryshme duke përfshirë edhe krimet e luftës, terrorizmin, trafikimin e narkotikëve, trafikimin e qenieve njerëzore. Shpresoj që me hyrjen në fuqi të ligjit për kompetencat e zgjeruara për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë do të lehtësohet puna e Prokurorëve në identifikimin, ngrirjen dhe sekuestrimin e pasurisë”, tha Lumezi.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, tha se vitin e kaluar është miratuar udhëzuesi për politika ndëshkimore dhe është themeluar komisioni këshillëdhënës për politika ndëshkimore, të arritura këto të cila do të ndihmojnë që në të ardhmen veprat kriminale të marrin dënimin e merituar.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, tha se Ligji për Konflikt të Interesit, ka filluar së zbatuari, përkundër sfidave dhe se janë 83 mijë zyrtarë që i përgjigjen këtij ligji. Poashtu një lajm i mirë, është edhe Ligji i Sinjalizuesve, për zbatimin e të cilit, ky institucion tashmë ka krijuar mekanizmat përcjellës.

Në këtë takim, po ashtu u kërkua përkushtim më i madh nga bartësit e institucioneve përkatëse dhe një dinamikë të shtuar, në mënyrë që të shënohen rezultate pozitive në zgjidhjen e lëndëve të grumbulluara dhe të shënjestruara dhe përmirësim të kursit të mosndëshkueshmërisë dhe forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit.

Përfaqësuesit institucional shprehën gatishmërinë dhe zotimet e tyre që këto raste të kenë prioritet dhe të zgjidhen brenda afateve të parapara, dhe fuqizimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Republikën e Kosovës, Philip Kosnett, përfaqësues i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulos, dhe përfaqësues të tjerë institucional.