Arbëri

Qeveria miraton Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së

Descriptive Text

Në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka kërkuar miratimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2019 – 2023, propozim i cili u miratua sot në Kabinetin qeveritar.

Ministrja Hoxha, me një ekspoze, ka paraqitur Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së 2019 – 2023, si dokumentin kryesor strategjik kombëtar për zbatimin e agjendës evropiane.

“Këto reforma mbulojnë fushat e kritereve politike, atyre ekonomike dhe të acquis-së, në kuadër të kapitujve në tri blloqe, me masa afatshkurtra legjislative dhe zbatuese, dhe objektiva prioritare afatmesme. Ato fokusohen në përafrimin e legjislacionit kombëtar me atë të BE-së dhe zbatimin e tij, përmes reformave të politikave e atyre institucionale”, ka cekur Hoxha, duke shtuar se Programi përmban rreth 390 masa, prej tyre rreth 160 janë masa legjislative dhe rreth 230 janë masa zbatuese.

Kostoja totale e zbatimit të Programit për sivjet, sipas ministres Hoxha, është vlerësuar të jetë rreth 94.4 milionë euro, nga të cilat 81.8 milionë euro nga buxheti shtetëror dhe rreth 12.6 milionë euro nga mbështetja e donatorëve (BE dhe donatorët bilateralë).

Programi është hartuar nën koordinimin e MIE-së, dhe me përfshirjen e të gjitha institucioneve relevante, sipas të njëjtit proces dhe metodologjie të përdorur në rishikimin e tij paraprak. Pas miratimit nga Kuvendi, ai do t’i dërgohet Komisionit Evropian për komente zyrtare.

Gjatë këtij viti, pritet që PKZMSA të realizohet të paktën 70%.