Arbëri

Kapiteni i FSK-së, instruktor në Akademinë Ushtarake Mbretërore britanike

Foto: Ministria e Mbrojtjes

Bazuar në marrëveshjen ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, Forca e Sigurisë e Kosovës do të dërgojë oficerin, kapiten Ismail Hoxha, si instruktor në Akademinë Ushtarake Mbretërore “Sandhurst”, njofton ministria e Mbrojtjes përmes një komunikate për media.

Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka pritur në zyrën e tij, kapitenin Hoxha për t’i uruar suksese dhe për t’i ofruar përkrahje të vazhdueshme gjatë angazhimit të tij në këtë akademi, e cila cilësohet si njëra ndër akademitë ushtarake më prestigjioze në botë.

“Kam nderin që t’ia dorëzoj flamurin e Kosovës kapitenit Ismail Hoxha, i cili me angazhimin e tij si instruktor do ta përfaqësojë në mënyrë të denjë vendin tonë në Akademinë Ushtarake Mbretërore ‘Sandhurst’”, ka thënë Rama.

FSK thotë se procesi i përzgjedhjes së oficerëve për të qenë instruktorë në këtë akademi është tejet rigoroz, prandaj, sipas komunikatës, FSK-ja po dëshmon se në strukturat e saj ka kuadro të përgatitur dhe të trajnuar sipas standardeve të NATO-s, dhe të aftë për të dhënë kontribut në ngritjen e kapaciteteve edhe në akademitë ushtarake me renome botërore.

“Për më tepër, angazhimi i kapitenit Ismail Hoxha padyshim se do të kontribuojë në ngritjen e imazhit të FSK-së, jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar por edhe në mbarë botën”, citohet të ketë thënë Rama.

Hoxha në këtë akademi do të jetë i angazhuar për dy vite rresht, për të vazhduar më pas kontributin e tij në ngritjen e kapaciteteve trajnuese në FSK sipas mandatit të ri.

“Kontributi i Mbretërisë së Bashkuar që nga vitit 2009 është i pazëvendësueshëm për zhvillimin dhe edukimin profesional të oficerëve të FSK-së”, potencohet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës.