Arbëri

Rugova: Edhe LDK-ja ka punësuar militantë, por kjo qeveri e ka tepruar

Descriptive Text

Naser Rugova, deputet i LDK-së, ka pranuar se edhe partia e tij ka punësuar militantë partiakë, por jo në formën që po e bëjnë partitë në koalicionin qeverisës aktualisht.

Në Interaktiv të KTV-së, Rugova ka thënë se qeverisja aktuale e vendit i ka shkaktuar dëme të pariparueshme imazhit të Kosovës.

Dhëndri i Presidentit dhe nipi i Zonjës së Parë, punësohen në pozita të rëndësishme në BQK

“S’mund të themi se s’kemi punësuar njerëz nga partia, sepse do të ishim joseriozë me publikun dhe duhet të jemi korrekt, por veprime të tilla kaq denigruese si te kjo qeveri s’kam parë”, ka thënë ai duke shtuar se s’dëshiron të komentojë me emra anëtarët e LDK-së që thuhet se kanë punësuar familjarë.

Sipas tij, koalicioni qeverisës me punësimet e shumta të të afërmve në Telekom dhe ndërmarrje tjera, “po dëshmon se mendon veç për vete dhe për klientelën e vet”.

“Ata s’po mendojnë për shtetin, imazhin, por për vete, për klientelën e tyre dhe në një ndërmarrje publike si Telekomi, që afaron me humbje rreth 15 milionë euro humbje në vit, ka mbipopullim të tillë dhe nga 10-12 deputetë të AAK-së secili ka të punësuar nga një familjar. Çfarë mesazhi është ky për popullin, për të rinjtë që përfundojnë shkollë e sillen rrugëve”, ka shtuar Rugova.

Ai e ka quajtur këtë qeverisje feudale teksa ka shtuar se po e vret shpresën e të rinjve. Ka thënë se shpreson që “veprimet e tilla denigruese të marrin fund sa më shpejtë”.

“Një izolim që po i bëhet Kosovës, injorim i reflektimit të BE-së s’po bëhet kot. Kur ja shtojmë edhe raportin e fundit të DASH-it emëruesi i përbashkët është që kjo qeveri i ka shkaktuar dëme të pariparueshme imazhit të vendit në të gjitha aspektet”, ka deklaruar Rugova.

Sipas tij, me punësimin e familjarëve koalicioni dhe imazhin e keq të krijuar të Telekomit, vlera e kësaj ndërmarrje do të bie shumë para privatizimit.

KTV - Kohavision ka nisur sonte në Lajmet e Mbrëmjes serinë e raportimeve për punësimet partiake e politike ndër vite në Bankën Qendrore të Kosovës, me të gjitha partitë që e kanë shfrytëzuar pushtetin për të rehatuar njerëzit e tyre.