Arbëri

Mbipunësimi po shkatërron Telekomin

Descriptive Text

Telekomi i Kosovës është shndërruar në çerdhe të familjarëve dhe përkrahësve të partive politike në pushtet, thonë përfaqësues të shoqërisë civile. Sipas tyre, në kohën kur kjo kompani, e cila është pronë e Qeverisë se Kosovës, po përgatitet për procesin e privatizimit, zyrtarë të ekzekutivit po garojnë se kush-kënd mundet të punësojë në këtë kompani në të cilën pagat janë mjaft të larta.

Edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka cilësuar si shqetësuese situatën në Telekomin e Kosovës, duke thënë se ai distancohet nga cilido punësim që ka ndodhur kohëve të fundit në këtë kompani.

Lluka tregon se rreth 230 persona janë punësuar brenda një viti dhe për këtë thotë ai, kanë kërkuar raport nga menaxhmenti dhe Bordi për punësimet e fundit që kanë ndodhur në Telekom.

“Pas analizimit të raportit, do të marrim masa për këdo që mendon të shfrytëzojë autoritetin dhe pozitën për të ndikuar në punësimin e familjarëve të vet. Po them edhe njëherë se është tejet shqetësuese sepse Telekomi është i mbingarkuar me punëtorë dhe nuk po shfrytëzohen kapacitet e brendshme që i kanë, por po merren punëtorët nga jashtë për të rritur shërbimet që kanë në plan”, thekson Lluka.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile theksojnë se në Kosovë është krijuar praktikë që partitë që vijnë në pushtet të emërojnë në pozitat e larta udhëheqëse njerëz të afërt me politikën, apo edhe familjarë të zyrtarëve partiakë.

Radio Evropa e Lirë