Arbëri

Nga sot qytetarët mund ta përcjellin cilësinë e ajrit përmes “Kosovo Air Quality”

Foto: Alban Bujari / KD

Me qëllim të përcjelljes së cilësisë së ajrit në gjithë vendin, sot është lansuar aplikacioni për monitorimin e cilësisë së ajrit për tetë regjione kryesore të Kosovës.

Ky aplikacion, i mundësuar nga Zyra e Komisionit Evropian në Kosovë, mund të shkarkohet në Android, IOS dhe është në fazën testuese, ndërsa më vonë pritet të bëhen gjithsej 12 stacione të tilla.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi tha se bashkërisht me UNDP-ja janë duke e realizuar një fushatë sensibilizuese mbi rëndësinë e ruajtjes së ambientit, pjesë e së cilës është aplikacioni që po lansohet sot me qëllim që në kohë reale qytetarët e Kosovës të njoftohen me cilësinë e ajrit.

“Krahas masave dhe veprimeve që po ndërmarrim në reduktimin e ndotjes së ajrit ky aplikacion do të ofroj informata mbi nivelin e ndotjes dhe pasojat e tij në shëndet. Falë këtij aplikacioni cilësia e ajrit në 12 stacionet tona do të jetë më e lehta për secilin qytetarë të Kosovës dhe përveç kësaj aplikacioni përmban edhe të dhëna të tjera jashtëzakonisht të rëndësishme të cilat do i shohim bashkë“, ka thënë Matoshi.

Shefi i Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa, tha se është e rëndësishme që Qeveria e Kosovës së bashku me partnerët të ndërmarrin masat e nevojshme për përmirësimin e kualitetit të ajrit.

Brusa tha se me qëllim që të ketë sa më pak dyoksid të karbonit janë si Komision Evropian janë duke investuar në ndërrimin e filtrave të Kosovës B, si dhe zgjerimin e Termokos-it në Prishtinë.

“Shumë shpejt në Kosovën B do të ndërmerren hapa për ndërrimin e filtrave, puna do të fillojë së shpejti dhe ne po investojmë afër 80 milionë euro për përmirësimin e kualitetit dhe luftimin e emetimit të dyoksid karbonit në Kosovën B. Dhe po i japim përkrahje edhe Termokos-it, në mënyrë që ta zgjerojmë ngrohjen në mënyrë që të reduktohet shfrytëzimi i thëngjillit dhe drurit për ngrohje në Prishtinë”, tha Brusa.

Shkumbim Shala nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës prezantoi përmbajtjen e aplikacionit për monitorim të cilësisë së ajrit.

“Të dhënat janë të marra nga stacionet e monitorimit të cilësisë së ajrit të cila po i mirëmban ministria e Mjedisit, forma për të kërkuar në dy platformat është“ Kosovo Air Quality”, është në fazën testuese dhe si çdo aplikacion tjetër do të ketë përditësime dhe disa ndryshime”, tha Shala.

Aplikacioni “Kosovo Air Quality” ofron edhe parametrat dhe këshilla se si mund të ruhet cilësia e ajrit.