Arbëri

Pritet avancimi i kompensimit të viktimave të krimit

Descriptive Text

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka marrë sot pjesë në takimin Publik për Koncept Dokumentin për Fushën e Kompensimit të Viktimave të Krimit, njofton kumtesa, transmeton Koha.net.

Ai ka deklaruar se të drejtat e viktimave të krimit janë avancuar me ndryshimin e Projekt Kodit të Procedurës Penale, që aktualisht është në Kuvendin e Kosovës, që sipas Ministrit Tahiri mundëson trajtim të dinjitetshëm ndaj viktimave, duke iu garantuar atyre të drejta në pajtim me standardet më të avancuara ndërkombëtare.

“Krahas të drejtave për të marrë informata mbi veprën penale, ofrimin e ndihmës mjekësore, përkrahjes psikologjike dhe strehimit alternativ, i kemi kushtuar vëmendje të madhe të drejtës së pakontestueshme për përfaqësim ligjor dhe ndihmë juridike të mirëfilltë.

Po ashtu, edhe e drejta për kompensim dhe rimbursim të shpenzimeve të bëra si rezultat i pjesëmarrjes së tij/saj në procedurën penale, është në linje të plotë me vullnetin tonë për të fuqizuar mekanizmin e kompensimit të viktimave të krimit” ka thënë ai .

Për rëndësinë e avancimit të të drejtave për viktimat e krimit ka folur edhe Lana Owens Moreton nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, ndërsa kryetarja e Komisionit për Kompensimin e Viktimave, Nesrin Lushta, ka prezantuar sfidat gjatë implementimit të Ligjit për Kompensimin e viktimave të krimit.