Arbëri

Jasharaj insiston se s’do të ketë kompensim të orëve

Foto: Koha

Ka filluar mbledhja e Komisionit për Arsim ku pritet të diskutohet rreth orëve të humbura gjatë grevës së fundit në arsim. Të pranishëm janë ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi dhe përfaqësues të SBASHK-ut.

Kryetari i Komisionit, Ismajl Kurteshi, ka kërkuar përgjegjësi rreth kësaj situate, duke shtuar se më së shumti po dëmtohen nxënësit, raporton Koha Ditore.

Ministri Bytyqi ka thënë se e kanë përkrahur grevën e mësimdhënësve, por ka shtuar se orët duhen kompensuar.

“Pas përfundimit të grevës, ne kemi qenë të obliguar që ta përmbushim planin mësimor. Pas diskutimeve që kishim me të gjithë drejtorët na është dashur te gjejmë një formë më të mire dhe ajo që e kemi vendosur për kompensim të orëve ka qenë forma më e mirë. Jemi bazuar në Ligjin Parauniversitar”, ka thënë Bytyqi.

Ka shtuar se presin që vendimi të zbatohet dhe të kompensohet “humbja e madhe” që u është shkaktuar nxënësve.

Ministri Bytyqi ka theksuar se do të ndërmarrin masa procedurale ndaj atyre që nuk e respektojnë vendimin.

Në anën tjetër, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se janë informuar keq njerëzit lidhur me veprimet e Sindikatës.

Ka thënë se kanë bërë padi ndaj vendimit të SBASHK-ut, duke qenë se Ligji i Grevave nuk e obligon askënd që t’i kompensojë ditët e humbura gjatë grevës. Ka thënë se duhet të lihet ne vullnetin e mësimdhënësve e jo të obligohen.

Jasharaj ka theksuar se po duan që ta zbehin fuqinë e grevës, duke i detyruar që t’i zëvendësojnë orët e humbura në mënyrë të dhunshme.

Jasharaj ka shtuar se nuk ka të drejte askush t’i kërcënojë, kur ligji saktëson gjithcka rreth grevës. U ka kërkuar deputetëve përkrahje dhe i ka ftuar që ta mbrojnë ligjin.

Në mënyrë të prerë, Jasharaj ka thënë se kompensim të orëve nuk do të ketë. Ka shtuar se do ta presin vendimin e gjykatës.