Arbëri

VV: Edukimi i hershëm përgjegjësi e institucioneve, nënat s’mund të mbajnë barrën e mungesës së shtetit

Përmes Grupit Parlamentar dhe Sekretariatit të Gruas Aktiviste, Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar tryezën me temë “Përgjegjësitë për edukimin e hershëm të fëmijëve - Roli shtetëror përballë rolit prindëror” .

Në tryezën e diskutimit morën pjesë studiuese dhe pjesëtare të shoqërisë civile. Tryezën e moderoi Aulonë Bytyqi nga Sekretariati i Gruas Aktiviste dhe parashtrimet e para i mbajtën anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes, Arbërie Nagavci, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, drejtoresha e çerdheve me bazë në komunitet në Komunën e Prishtinës, Anduena Arrni dhe zyrtarja Ligjore nga Rrjeti i Grave të Kosovës, Adelina Berisha.

“Edukimi i hershëm i fëmijëve në Kosovë vuan nga numri i vogël i institucioneve publike dhe private parashkollore. Mungon prania e tyre në zonat rurale thuajse plotësisht, ku ndodhet më shumë se 50% e popullsisë së vendit. Vetë kopshtet dhe çerdhet vuajnë nga infrastruktura e dobët dhe e pamjaftueshme, mungesa e investimeve infrastrukturore dhe mungesa e stafit. Sipas buxhetit aktual dhe parashikimeve të tij nuk duket se do të ketë një vëmendje të veçantë për të, apo një strategji të posaçme për trajtimin e problemeve të edukimit të hershëm. Po ashtu, prindërit me fëmijë me nevoja të veçanta e vuajnë akoma edhe më shumë mungesën e parashikimit të një përkujdesjeje për këto kategori”, thuhet në komunikatën e LVV-së, dërguar mediave.

Tutje, thuhet se shteti e trajton edukimin e fëmijëve parashkollorë si të jetë një çështje private familjare.

“Në kushtet kur më shumë se gjysma e popullsisë nuk ka qasje në edukimin e hershëm publik, atëherë pesha për edukimin e fëmijëve bie mbi nënat. Kjo peshë u rëndon edhe më tepër grave nga pamjaftueshmëria e kohës për të kërkuar apo punuar ndërkohë. Puna e madhe shtëpiake e grave është një punë pa pagesë dhe një çështje politike e shtypur në diskursin tonë publik. Edukimi i fëmijëve duhet shikuar edhe si çështje e emancipimit të gruas, edhe si e drejtë kushtetuese e çdo fëmije dhe familjeje, edhe si avancim i politikave arsimore shtetërore”, thuhet tutje.

Në komunikatë bëhet e ditur se në përfundim të tryezës u nxorën edhe konkluzionet e diskutimit si në vijim:

Edukimi i hershëm është përgjegjësi e institucioneve të vendit, si për ofrimin e të drejtave të garantuara për secilin fëmijë pa dallim, ashtu edhe për ofrimin e mundësive për gratë dhe nënat e reja për zhvillimin e tyre;

Shfrytëzimi i zgjidhjeve alternative si kopshtet në komunitet dhe ndihmat nga organizatat ndërkombëtare duhet organizuar nga institucionet adekuate, sidomos me vëmendje të veçantë për grupet e margjinalizuara në shoqëri;

Të ngrihet zëri në vetëdijësimin e vendimmarrësve se çerdhet nuk janë lluks, por domosdoshmëri dhe një e drejtë që i duhet garantuar çdo fëmije dhe familje;

Rritja e buxhetit për edukimin në moshë të hershme.

Edukimi i hershëm i fëmijëve duhet të ndahet midis shtetit dhe prindërve, mungesa e madhe e njërit prej tyre e bën këtë edukim gjysmak. Prindërit dhe shteti nuk mund t’i zëvendësojnë rolet e njëri-tjetrit në edukimin e fëmijëve. Nënat nuk munden të mbajnë barrën e mungesës së një shteti dhe barrën e mungesës së babait.