Arbëri

Selmanaj e Sveçla i quajnë qesharake akuzat e Beqës se janë pjesë e agjenturave turke

Descriptive Text

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj dhe ai i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla i kanë quajtur qesharake akuzat e deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa se ata janë pjesë e ndonjë agjenture turke.

Mbrëmë në Interaktiv të KTV-së, Beqa kishte hedhur dyshime se Selmanaj e Sveçla punojnë për ndonjë agjenturë turke, derisa i ka akuzuar gjithashtu se kanë qenë të painteresuar për ta zbardhur të vërtetën për rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq.

Beqa dyshon se Sveçla e Selmanaj punojnë për agjentura turke, “s’deshën të vërtetën për deportimin e gylenistëve”

Selmanaj, që ishte nënkryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar për Zbardhjen e Çështjes së Deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, ka thënë në një prononcim për Koha.net se nuk ia vlen të komentohen deklaratat e Beqës.

“S’e di a ia vlen t’i komentoj ato, kështu që më kurse. Ato janë ‘përrallë me tupan’ e s’ia vlen të merrem me to. Kjo është nën çdo nivel, kështu që nuk isha marrë fare me to”, ka thënë Selmanaj.

Derisa Sveçla, akuzat e kolegut të tij deputet, Hajdar Beqa, i ka quajtur qesharake.

“S’kam koment për këtë. Është qesharake, me mizivirllëqe dhe mesele të odave nuk udhëhiqet shteti”, ka thënë Sveçla.

Kryetari dhe nënkryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e deportimit të 6 shtetasve turq, Selmanaj dhe Sveçla, kishin ushtruar padi ndaj Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Padia e ushtruar në muajin shkuar të këtij viti kërkonte ndërmarrjen e masave administrative ndaj Kryesisë së Kuvendit për shkak se ky organ, siç thanë ata, “nuk ka lejuar Komisionin që ta përmbushë mandatin e tij ligjor, duke mos lejuar që Komisionit t’i vazhdohet mandati i përcaktuar me ligj”.

Në muajin mars të vitit 2018, 6 shtetas turq ishin arrestuar në Kosovë dhe pastaj ishin deportuar në Turqi. Për shkak të deportimit të tyre në Turqi kanë dhënë dorëheqje ish-ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe shefi i AKI-së, Driton Gashi.