Arbëri

Hartimi i Ligjit për tregti të brendshme e të jashtme prioritet i MTI-së, thotë Shala

Në takimin e dytë të Komitetit Drejtues të Projektit “Mbështetje e Mëtutjeshme e Zhvillimit të Tregtisë në Kosovë” i financuar nga BE-ja ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka theksuar se objektivi i përgjithshëm i projektit është vazhdimi dhe promovimi i integrimit të Kosovës në ekonominë botërore dhe përforcimi i rolit të shtetit në qeverisjen ekonomike, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Ministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë hapin e parë në negocimin e marrëveshjes tregtare EFTA ku në muajin nëntor të vitit të kaluar është nënshkruar Deklarata e Përbashkët për Bashkëpunim dhe po ashtu në muajin qershor 2018 është marrë vendimi për aplikim në OBT në statusin e anëtarit vëzhgues.

“Aktivitet me prioritet për MTI-në është hartimi i Ligjit për Tregti të Brendshme dhe Ligji për Tregti me Jashtë, prandaj falënderoj projektin për përkrahjen dhe ekspertizën që po ndihmon në këtë drejtim. Gjithashtu, presim përkrahje gjatë zhvillimit të negociatave me vendet e EFTA-s dhe në rrugën tonë drejt anëtarësimit në OBT”, tha Shala.

Shala potencoi se ky projekt ka një agjendë ambicioze, duke shtuar se në fund do të ndahen të gjithë të kënaqur.

“Pasi që do të bëjmë punë të mëdha e që do të rezultojnë në përmirësimin e kapaciteteve të MTI-së për të zhvilluar negociata dhe zbatuar politikat tregtare, përfshirë mbrojtjen dhe zbatimin e pronësisë intelektuale, në përputhje me kërkesat e tregtisë ndërkombëtare dhe praktikat e BE-së dhe në përmirësimin e kapacitetit të saj për të mbështetur prodhuesit vendor”, tha Shala.

Ministri tha se do të ishim mirënjohës nëse mandati i projektit do të zgjatej përtej muajit korrik 2020.

“Departamenti i Tregtisë dhe akterët tjerë relevant kanë nevojë për ekspertizën e ekspertëve nga BE dhe për praktikat më të mira ndërkombëtare. Për këto dhe aktivitetet tjera në kuadër të projektit keni përkrahjen time të pa rezervë dhe besoj që e njëjta do të jetë edhe nga ana e projektit dhe Zyrës së BE-së ndaj MTI-së”, theksoi Shala.