Arbëri

Beqa: Rrëzimi i Qeverisë nuk do të ndodhë shkaku i taksës

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa në Interaktiv të KTV-së ka thënë se PDK-ja nuk është e interesuar që ta prishë koalicionin qeverisës për shkak të taksës.

Sipas tij ky është momenti i fundit për të harmonizuar raportet me Serbinë e të ketë një marrëveshje finale.

“Varet çka e konsiderojmë krizë, institucionet po funksionojnë, ndoshta nuk janë në nivelin e duhur e pritjet e qytetarëve janë më të mëdha. Mendoj që është momenti i fundit që raportet e Serbisë të harmonizohen dhe të arrihet një marrëveshje ndërmjet palëve”, ka thënë Beqa.

Beqa më tutje ka thënë se taksa është një veprim shumë i mirë i Qeverisë dhe tashmë ka pasur efektin pozitiv, megjithatë insiston se ajo duhet të pezullohet.

“Sa i përket taksës është një nga vendimet më të mira që ka marrë Qeveria e Kosovës. Sa i përket Serbisë ajo nuk duhet të hiqet por edhe të rëndohet, por tash jemi në një fazë që taksa e ka mbërri efektin e vet dhe bazuar në kërkesën e shteteve mike mendoj se ndoshta duhet të bëhet pezullimi i taksës për 120 ditësh në mënyrë që t’u hapet rrugë bisedimeve. Nuk mendoj se humb Kosova diçka nëse e pezullon taksën. Ne mund të bëjmë një sensibilizim të opinionit që të mos blejnë mallra serbe, askush nuk mund t’i detyrojë ata që të blejnë produkte serbe”, është shprehur ai.

Ai ka shtuar se nuk duhet të humbet më shumë kohë e të pritet se kush po lëshon pe, derisa shton se është një gabim i madh i Kosovës nëse i ftoh raportet me SHBA-në.

“Gabimi më i madh që bën Kosova është nëse bën ndonjë ftohje të raporteve me SHBA-në. E dimë se përpjekjet tona kanë ardhur deri këtu falë mbështetjes nga Amerika. Nuk besoj se këto raporte do të përkeqësohen, pasi besoj se institucionet do të reflektojnë”, ka thënë Beqa.

PDK-ja, sipas Beqajt, nuk është e interesuar ta rrëzojë Qeverinë shkaku i taksës.

“Kemi pasur një qëndrim përmes Veselit që PDK-ja sa i përket rrëzimit të Qeverisë nuk do të ndodhë për shkak të taksës, nuk duam që koalicioni të prishet për shkak të taksës”, u shpreh ai.

Beqa ka shprehur bindjen e tij se nëse Kosova shkon në zgjedhje atëherë PDK-ja do të ketë më shumë deputetë se që ka sot.

“Në çfarëdo rrethane ne marrim më shumë se 23 deputetë. PDK-ja nuk ka problem me elektorat, sa i përket numrit të votave jemi relativisht mirë. Momenti nuk është për zgjedhje sa i përket rrethanave që janë. Këtë fazë është dashur që ta shfrytëzojnë që të arrijmë një marrëveshje me Serbinë. Në momentin që PDK-ja nuk e del e para por e dyta, në asnjë moment nuk do t’i bllokojmë institucionet. Edhe sikur të shkojmë në zgjedhje me këto parti që janë dalim të parët”, u shpreh ai.

Në raport me Serbinë, Beqa thotë se duhet të ketë një unifikim, ashtu siç ishte bërë edhe në luftë.

Ai thotë se sikur PDK-ja të dëshironte ta shfrytëzonte taksën për interesa partiake do ta hiqte taksën brenda 24 orëve.

“Nuk i shikojmë interesat e partisë në raport me ato nacionale. Me dashtë që taksën ta shfrytëzojmë për interes partiak atë mund ta heqim për 24 orë. PDK-ja në një asnjë moment nuk do ta lëkundë koalicionin për shkak të taksës. Ne nuk jemi të interesuar të prishim raportet me SHBA-në. Hera e parë është që SHBA-ja është kaq e zëshme që të ketë një mbyllje të procesit ndërmjet dy vendeve. E dimë se jemi i vetmi vend i izoluar”.

Më tutje ai ka folur edhe për shkëmbimin e mundshëm të territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Sipas tij Serbia nuk heq dorë lehtë nga Lugina.

“Nuk besoj se Serbia e bën një lëshim aq të lehtë me e dhënë Luginën e Preshevës”, tha Beqa.