Arbëri

Edhe Shqipëria ndalon fluturimin e Boeing 737-8 dhe 737-9 Max

Foto: Reuters

Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar, i bashkohet vendimit të Agjencisë Evropiane të Sigurisë në Operim të Aviacionit (EASA), duke ndaluar fluturimin e aeroplanëve Boeing 737-8 dhe 737-9 Max, në hapësirën ajrore shqiptare.

Vendimi i EASA-s vjen pas aksidentit fatal të aeroplanit tip Boeing 737 Max 8 të shoqërisë ajrore “Ethiopian Airlines”, shkruan Tch.

AAC informon qytetarët se në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” nuk ka në operim asnjë aeroplan të tillë, në asnjë nga linjat e programuara të fluturimeve.

Për t’ju bashkuar nismës së EASA për këtë rast, AAC ka formalizuar lëshimin e një NOTAMi (lajmërimi për operatorët) nga ana e Albcontrol, i cili ndalon operimin e aeroplanëve të këtij lloji në hapësirën ajrore shqiptare dhe Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, për një kohë të pacaktuar, deri në direktivat pasuese të EASA, të cilat do të varen nga informacioni që do të vijë nga hetimi i shkaqeve të aksidentit në Kenia para pak ditësh ku vdiqën të 157 personat në bord.