Arbëri

Haradinaj e pranon se u përplas me Thaçin e Veselin para David Halet, thotë se s’është mesjetë të bëhen presione

Me humor të mirë është shfaqur kryeministri Ramush Haradinaj kur doli para gazetarëve të martën.

Por, këtë humor nuk e kishte në takimin e së shtunës me nënsekretarin amerikan të shtetit për çështje politike, David Hale.

Kryeministri Haradinaj ka pranuar se në këtë takim me zyrtarin e lartë amerikan, ishin të përçarë për taksën me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli, raporton KTV.

Heqjen e taksës, Haradinaj ka thënë se ia kërkuan edhe këshilltarët e kancelares gjermane, Angela Merkel, gjatë takimit të së hënës në zyrën e tij.

Por, ai ka thënë se këtë nuk e ka ndërmend ta bëjë, pa pasur një kontratë për njohje nga Serbia.

Kreu i ekzekutivit ka shtuar se bashkësia ndërkombëtare nuk po mund t’i bëjë presion Serbisë për t’iu kthyer dialogut, e këtë presion po ia bën Kosovës.

Për mundësinë e rrëzimit të Qeverisë, Haradinaj ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve nuk është çudi. Sipas tij, PDK-ja lehtë mund ta çojë vendin në zgjedhje.

Haradinaj është pyetur nëse është i gatshëm që ta vizitojë veriun e vendit. E këtu thumboi presidentin e vendit.

Në mbledhjen e Qeverisë, janë ndarë 74 mijë e 200 euro nga shpenzimet e paparashikuara për komunën e Mitrovicës, për vendosjen e monumentit kushtuar dëshmorit Harun Beka.

Kurse, 15 mijë euro i janë ndarë edhe Shoqatës së Pensionistëve.