Arbëri

SHISH-i e pranon se Rusia po përpiqet ta rrisë ndikimin në Shqipëri

Përpjekjet e Rusisë për të influencuar në Shqipëri janë në rritje, ka thënë kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) të Shqipërisë, Helidon Bendo.

I thirrur në Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare në Parlamentin e Shqipërisë, Bendo është shprehur i shqetësuar për këto tentativa, por nuk ka dhënë informacione nëse ato shkojnë deri në nivele të larta të politikës shqiptare, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Nga analiza e të dhënave për vitin 2018 vërejmë një rritje të tentativës nga Rusia për ta shtuar influencën në vendin tonë”, është shprehur Bendo.

Raporti vjetor i SHISH-it tashmë ndodhet mbi tavolinën e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta. Bendo premtoi se një përmbledhje e raportit vjetor të SHISH-it do të ishte e qasshme për publikun. Deri në përmbushjen e këtij premtimi mbetet e paqartë nëse influenca ruse në Shqipëri cenon sigurinë e këtij vendi.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)