Arbëri

Ambasadori austriak habitet pse në UPZ nuk do të vazhdojë punën dega e gjermanishtes

Prof. Asoc. Dr. Ismet Temaj, u.d. rektor në Universitetin “ Ukshin Hoti” në Prizren, të hënën ka pritur në takim Ambasadorin e Austrisë në Prishtinë, Gernot Pfandler.

Temaj me këtë rast tha se është nder dhe kënaqësi që pret në takim ambasadorin e një shteti që ka mbështet Kosovën në shumë procese të rëndësishme dhe ka dhënë mbështetje të madhe për themelimin dhe zhvillimin UPZ-së në përgjithësi, në veçanti degën e gjuhës gjermane, njofton kumtesa, transmeton Koha.net .

Ambasadori Pfandler theksoi se bashkëpunimi mes UPZ-së dhe Ambasadës së Austrisë në Prishtinë është më i madhi pas Universitetit të Prishtinës. Ai theksoi se këtë universitet e kanë mbështetur në vazhdimësi në mënyra të ndryshme ndërsa kanë besim se do të vazhdoj bashkëpunimi edhe në të ardhmen. Ndërsa e veçoi hapjen zyrës së OEAD-së në UPZ, sjelljen e profesorëve nga Austria për ligjërata dhe sjelljen e një fondi të konsiderueshme të librave, për realizimin e të cilave ai e falënderoi menaxhmentin e UPZ-së.

Në kontekst të riakreditimit të degës së gjuhës gjermane në UPZ, Ambasadori i Austrisë tha se nuk mund të paramendojmë që në UPZ nuk do të vazhdojë dega e Gjuhës gjermane duke marr për bazë investimet që janë bërë dhe planet për të ardhmen, duke pasur po ashtu në konsideratë numrin e madh të studentëve që janë duke studiuar por edhe ata që dëshirojnë të studiojnë në të ardhmen. Edhe pse Ambasadori Pfandler theksoi se ata nuk interferojnë në institucione të pavarura siç është Agjencioni për Akreditim, për pavarësinë e së cilit edhe ata janë kujdesur. Mirëpo ai shtoi se nga takimet që ka pasur me dekanin, rektorin dhe mësimdhënës të këtij fakulteti ka vërejtur se ekzistojnë mundësi për plotësimin e kërkesave dhe për riakreditim, që shpreson që do të ndodhë. “Është e pa imagjinueshme që të mos ketë degë të gjuhës gjermane në UPZ”, nënvizoi ai.

Degën e gjuhës gjermane në UPZ nuk e ka akredituar Agjencia e Akreditimit.