Arbëri

Ideja e korrigjimit të kufijve i shqetëson shqiptarët e Zubin Potokut, s’duan të jetojnë në Serbi

Mbi tabelën ku tregohet rruga për në fshatin Çabër të Zubin Potokut, është i vendosur një flamur i Serbisë.

Por, brenda në fshat, qëndrojnë dhjetëra flamuj të Republikës së Kosovës, të vendosur me rastin e 11-vjetorit të pavarësisë së vendit.

Fshati me rreth 1500 banorë shqiptarë, por i rrethuar me vendbanime serbe të kësaj komune, është ndërtuar nga pika 0, pasi ishte krejtësisht i shkatërruar në luftë dhe tani ka një infrastrukturë të qëndrueshme, raporton KTV.

Por, vendosmëria e familjeve si ajo Rama, që për breza kishin qenë të përndjekur nga pushteti serb, ka bërë që të rikthejnë jetën në këtë fshat.

Sherif Rama, jurist i pensionuar dhe aktivist i të drejtave të njeriut, e pranon se janë të shqetësuar nga ideja e korrigjimit të kufijve.

Image

“Nuk po dijmë ku ka me na qit hesapi me qito diskutime rreth kufijve, ...kjo osht pak brengosëse”, ka thënë Rama.

Shkëmbimi i tri komunave të Luginës së Preshevës me tri të veriut të Kosovës, për Ramën, është i papranueshëm.

“Na luginën e preshevës e dojmë, na takon me kon e jona, por vec për Leshakun, e jo për tri komunat veriore që s’kanë qenë kurrë të serbisë”, ka thënë Rama.

Rama rikujton se pas luftës, sikur ka ndodhur në Mitrovicën e Veriut, dhjetëra shtëpi shqiptarësh janë uzurpuar edhe në vendbanimet Varragë, përreth Liqenit të Ujmanit e në Zupq.

Kundër opsionit që fshati Çabër dhe Zubin Potoku të përfundojnë nën Serbi, shprehet edhe Sefer Veseli, që është edhe nënkryetar i Kuvendit Komunal të kësaj komune.

“Nuk ka njeri që su rreh ktu prej policisë serbe e që su marr në biseda informtive, kshtu që kurrqysh nuk pranoj me qenë nën Serbi”, ka thënë Veseli

Vendbanimet serbe që rrethojnë fshatin Çabër, shpeshherë kanë qenë në qendër të vëmendjes mediale, shkaku i barrikadave që vendoseshin në rrugë, në veçanti në vitin 2011.

Megjithatë, për kosovarët, njihet incidenti i marsit të vitit 2004, ku kishin humbur jetën 3 të mitur, që kishte rezultuar me një valë trazirash në mbarë vendin.