Arbëri

Haradinaj viziton një kompani të prodhimit të plastikës, thotë se është befasuar nga puna tyre

Descriptive Text

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka vizituar ndërmarrjen “INTERNATIONAL PLASTIC COMPANY”, në Studenqan të Komunës së Therandës, e cila merret me prodhimin e produkteve të plastikës.

Siç njofton kumtesa nga kryeministria, Haradinaj ka parë nga afër punën në repartet prodhuese të fabrikës, ku është njoftuar me ecurinë e punëve në kompani, sfidat dhe sukseset e saj.

“Haradinaj është befasuar jashtëzakonisht për të mirë, pasi ka vizituar një kompani ndërkombëtare për faktin që produktet i plason në tregje shumë të avancuara si Zvicër, Austri, Gjermani dhe vende tjera”, thuhet në komunikatë.

“Bëhet fjalë për një kompani që ka investim familjar me teknologjinë më të avancuar, më të re që ekziston në botë për prodhimin e pjesëve të plastikës”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se kjo kompani ka investuar rreth 4 milionë euro investime të vetat familjare dhe kanë në projekt zgjerimin e vet, si dhe nevojën për grante.

Kryeministri Haradinaj, falënderoi kompaninë IPC për vlerën e re, që është prodhimi, ekonomia, duke i përgëzuar po ashtu për një punë të mrekullueshme.

Taulant Gashi drejtor gjeneral i kompanise IPC, falënderoi kryeministrin për vizitën duke thënë se IPC është prodhuesi i rreth 72 llojeve të plastikës, metal plastikë dhe elemente të ndryshme të plastikës, e cila ju shërben një numri të partnerëve të biznesit në industri dhe tregje të zhvilluara të shteteve të Bashkimit Evropian si Austri, Zvicër dhe Gjermani.

Kjo vizitë është realizuar në kuadër të agjendës ekonomike të Kryeministrit Haradinaj për të përkrahur bizneset dhe ekonominë vendore.

I pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj i cili tha se kompanitë e kësaj komune do ta kenë çdo herë mbështetjen e qeverisë komunale.