Arbëri

Dokumenti që dëshmon shpenzimet e Albena Reshitajt edhe pas dorëheqjes

Albena Reshitaj, këshilltare e kryeministrit Ramush Haradinaj, e ka kualifikuar si shpifje përmbajtjen e një storieje të publikuar sot në gazetën “Koha Ditore”, e në të cilën tregohet se si Reshitaj kishte bërë shpenzime të buxhetit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor edhe pasi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e ministres. Ajo e ka kërcënuar gazetën se do ta padisë për shpifje dhe cenim të integritetit të saj moral, politik e profesional, në rast se nuk i kërkohet falje.

Por, faktet që gazeta i ka në dispozicion, nuk lënë hapësirë për kërkimfalje.

Të gjitha informatat që “Koha Ditore” i ka publikuar në këtë storie janë të qëndrueshme dhe janë të mbështetura në dokumente zyrtare. Bazuar në to, 5,633.57 euro janë shpenzuar prej ish-ministres Reshitaj edhe pas datës 1 gusht të vitit 2018, kur e kishte braktisur Ministrinë.

Ish-ministrja Reshitaj bëri shpenzime edhe pas dorëheqjes

Kartela e kontos së Reshitajt tregon se ajo ka shpenzuar gjatë vitit të shkuar 12,255.32 euro, gati gjysma e së cilës shumë pas aktit të dorëheqjes. Kjo shumë është prezantuar si mëditje. Kësisoj, në gusht ishin shpenzuar 451.44 euro, në shtator 1,168.00 euro, kurse në tetor 4,014.13 euro.

Përpos kësaj, në shumicën e muajve të 2018-s sa ka pasur mandat, ajo e kishte tejkaluar limitin e shpenzimeve që kishte për reprezentacion. Si ministre, kishte të drejtë të shpenzonte më së shumti 500 euro në muaj. Në katër muaj e kishte tejkaluar këtë shumë: në shkurt kishte harxhuar 675.35 euro, në mars 730.05, në prill 610.70, ndërsa në maj 595.34.

Prandaj, në vend të kërkimfaljes, “Koha Ditore” publikon shpenzimet sipas “KARTELES PER KONTON 2000024 ALBENA RESHITAJ”, të ofruara nga Ministria e Mjedisit.

Image
Image