Arbëri

Udhëheqësit e Kosovës urojnë Ditën e Mësuesit

Foto: Koha / ilustrim

Udhëheqësit institucionalë të Kosovës ua kanë uruar sot mësuesve ditën e tyre, që shënohet në çdo 7 mars. Përmes postimeve në rrjetet e tyre sociale në Facebook, në Ditën e Mësuesit ata kanë vlerësuar rolin e tyre ndër vite, derisa misionin e tyre e kanë quajtur të shenjtë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në urimin e tij ka thënë se përpjekja për t'i edukuar brezat që nisi në Korçë po vazhdon edhe sot, ndërkaq ka premtuar se mësuesit do ta kenë në vazhdimësi kujdesin ndërinstitucional.

“Përpjekja për t’i edukuar brezat nisi që në Korçën historike, për të vazhduar ndër vite, me qëllimin më njerëzor, dijen. Sot ky mision vazhdon nga mësimdhënësit tanë, kudo ndër trojet shqiptare. Në ditën e 7 Marsit, mësuesit i nderuam në shkollë Fillore “Hasan Prishtina”, ndër më të mëdhatë në Kosovë, duke i falënderuar për vetëmohimin edhe në kohëra të vështira. Misioni do të vazhdojë, tani me kujdesin më të dinjitetshëm institucional. Si popull e kemi një dashuri të madhe për arsimin, prandaj mësuesit po ia kthejmë dinjitetin e nxënësit po ia rrisim dashurinë për dije”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërkaq presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se7 Marsi duhet ta rrisë ndërgjegjësimin kolektiv për rolin dhe kontributin që dhanë mësuesit ndër vite.

“Dita e Mësuesit, 7 Marsi, përherë duhet të na motivojë edhe më shumë për rritjen e ndërgjegjësimit kolektiv rreth rolit dhe kontributit jetik që mësuesit japin çdo ditë për arsimimin e gjeneratave të reja dhe zhvillimin e shoqërisë. Me përkushtimin e tyre për të përhapur dije, mësuesit tanë edhe në ditët më të rënda na kanë mësuar në frymën më të lartë të patriotizmit dhe janë bërë jo vetëm udhërrëfyes, por edhe heronj e dëshmorë, për lirinë dhe pavarësinë tonë. Në këtë ditë të veçantë, të gjithë mësuesve ua uroj 7 Marsin dhe shpreh mirënjohje të pakufishme për punën e tyre”, ka shkruar ai.

Ditën e Mësuesit e ka uruar edhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi. Ai ka thënë se përmes angazhimit të përbashkët do të vazhdojnë ta ngrisin cilësinë e arsimit duke e përafruar me atë të vendeve të zhvilluara të botës.

“7 Marsi është dita kur ne nderojmë mësuesit tanë dhe kujtojmë rolin e tyre të rëndësishëm për të ardhmen e shoqërisë tonë. Kujtojmë sot, edhe mësuesit dëshmorë, edhe ata që bënë përpjekjet më të mëdha të historisë për të zhdukur analfabetizmin, të gjithë ata që krijuan traditën e arsimit shqip. Vlerësojmë përpjekjet tuaja të përditshme për të ofruar arsim cilësor për fëmijët tanë dhe duke besuar fuqishëm në përkushtimin tuaj, ne jemi të sigurt se do të afrojmë arsimin tonë me atë të vendeve të zhvilluara të botës. Ju, mësues të dashur, i keni dhënë historisë shembuj edhe më të vështirë, duke iu dhënë dije gjeneratave, e njëkohësisht duke i frymëzuar drejt luftës për liri. Prandaj, Ju jeni shpresa për ditë edhe më të mira për Kosovën”, ka shkruar ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në urimin e tij mësuesit i ka quajtur shtyllë e kombit.

“Të dashur mësues e mësuese të Kosovës, kjo është një ditë e madhe, jo vetëm për punën e profesionin tuaj, por për të gjithë qytetarët dhe vendin tonë. Për një arsye madhore: gjithmonë keni qenë shtyllë e kombit. Dhe sot jeni ata që bartni një mision po aq të madh: edukimin e brezave që do ta trashëgojnë atdheun tonë të lirë e sovran. Urime”, ka shkruar ai.

Ditën e Mësuesit e ka uruar edhe i pari i LDK-së, Isa Mustafa, derisa ka thënë se misioni i tyre në zhvillim të vendit dhe shoqërisë meriton respekt.

“Të gjithë mësimdhënësve, që mision kishin dhe kanë shpërndarjen e dijes, ju uroj 7 Marsin, Ditën e Mësuesit.

Do të u jemi mirënjohës për kontributin e tyre shembullor, për dhënien e dijes dhe në veçanti, shpreh urimet dhe konsideratën më të lartë, nga unë dhe e gjithë LDK, për të gjithë arsimtarët që në çdo kohë frymuan shqip. Misioni i tyre në zhvillim të vendit dhe shoqërisë meriton respekt dhe përkrahje nga të gjithë ne”, thotë ai në njoftimin e dërguar medieve.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në urimin e tij për Ditën e Mësuesit ka thënë se Qeveria e Kosovës ka në fokus çështjen e ngritjes së cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet.

“Në përvjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe, të gjithë mësimdhënësve ua uroj 7 Marsin ditën e Mësuesit. Të dashur mësuese dhe mësues. Në këtë ditë të shënuar shprehe mirënjohjen time për kontributin e madh të mësimdhënësve ndër vite jo vetëm në edukimin e brezave dhe përhapjen e dijës, por edhe në kultivimin e vlerave tona kombëtare. Shkolla shqipe gjithmonë ka qenë vatër ku është kultivuar dashuria për Atdheun. Qeveria e Kosovës e ka në fokus çështjen e arsimit dhe ministri Bytyqi mbetet i përkushtuar në avancimin e pozitës së mësimdhënësve si dhe në ngritjen e cilësisë së arsimit në të gjitha nivelet”, ka shkruar Limaj.