Arbëri

Serwer përsërit: Pse kjo nguti në dialog

Descriptive Text

Analisti i njohur dhe ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer, ka përsëritur qëndrimin e tij kundër shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë. 

Në një lidhje direkte në konferencën e sotme ndërkombëtare të ekspertëve, të organizuar nga Instituti KIPRED dhe Instituti Riinvest, me mbështetjen e Zyrës së Fondacionit Fredrich Elbert (FES) në Kosovë, për t’i kontribuuar ndërtimit të konsensusit në mes të akterëve kyç në dialogun Kosovë-Serbi, Serwer ka pyetur sërish përse po ka nguti për dialogun mes dy vendeve.

Ai ka thënë se shkëmbimi i territoreve “do të ishte pranim se as Beogradi dhe as Prishtina s’janë në gjendje t’i trajtojnë qytetarët në mënyrë të duhur dhe të barabartë me ligj, gjë që paraqet kushtin kryesor për anëtarësim në NATO dhe në BE”.

“Një gjë e tillë do të rezultonte, herët apo vonë, me zhvendosjen masive të serbëve nga jugu i lumit Ibër dhe shqiptarëve nga territori i Serbisë. Gjermania, Holanda dhe shtetet tjera të BE-së nuk do ta pranonin anëtarësimin për shtetet e copëtuara. Nuk besoj se ndonjë prej marrëveshjeve që kam parë do të mirëpritej nga presidentët Vuçiq dhe Thaçi, apo të miratohej në parlamentet e Beogradit apo Prishtinës, e aq më pak përmes një referendumi në Kosovë. Një shkëmbim territoresh do ta destabilizonte Bosnjën, ku Milorad Dodiku ka qenë i qartë rreth synimit të tij për ta shpënë Republikën Serbe të Bosnjës drejt shkëputjes, po qe se ndahet Kosova. Një shkëmbim territoresh në Ballkan do të fuqizonte pretendimet ruse për pavarësinë e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore, shkëputjen e Transnistrisë, Donetskut dhe Luhanskut, ashtu si edhe aneksimin e Krimesë”, ka thënë ai duke shtuar se “anëtarësimi i Kosovës në OKB do të ishte i mundur vetëm nëse Washingtoni lëshon pe për këto çështje, gjë të cilën nuk ka interes ta bëjë”.

Sipas Serwerit, shkëmbimet e territoreve dhe njerëzve janë ide që do të mund të krahasoheshin me “zombi”. “enden nëpër tokë, në kërkim të viktimës së radhës dhe nuk mund të vriten, pasi që tashmë janë të vdekur. Prandaj, përse i kushtohet aq shumë vëmendje një ideje të tillë dhe përse një urgjencë aq e madhe për finalizimin e një marrëveshjeje? Presidentët Thaçi dhe Vuçit janë nacionalistë etnikë, e jo demokratë liberalë. Nacionalistët etnikë e kanë të vështirë të merren me pakica numerike. Po qe se janë të barabartë, çfarë ka dobi nga të qenit pjesë e pakicës së supozuar të privilegjuar?” ka vazhduar ai.

Serwer ka pyetur përse Thaçi ka ndërruar mendje për copëtimin e Kosovës. Për këtë ka dhënë një shpjegim, transmeton Koha.net.

“Natyrisht se më së miri do të ishte që t’ia shtronim atij pyetjen, por shpjegimi im është ky: Ai e pa se Beogradi po përparonte me këtë ide në Washington, ku po ashtu kemi një administratë etnike nacionaliste. John Bolton ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës dhe do të ishte i lumtur ta dërrmonte një vend të favorizuar nga Clintoni, gjë që Kosova është me siguri. Pra, kur Boltoni tha se do të merrte parasysh idetë për ndarje, nëse Vuçiq dhe Thaçi mund të pajtoheshin, presidenti Thaçi nisi të shqetësohej se do t’ia merrnin anën dhe do të përfundonte me propozim të njëanshëm: Kosova veriore do t’i takonte Serbisë, pa ndonjë përfitim për shqiptarët. Prandaj, ai ftoi në Prishtinë shqiptarët e Preshevës dhe e bëri të qartë se nuk do të kalonte asnjë propozim i njëanshëm. Do të duhej të ishte reciprok. Kjo ishte diçka e arsyeshme, por nuk nënkupton se ka njëmend propozim të pranueshëm, madje edhe ai reciprok”, ka shtuar Serwer.

Serwer ka shtruar po ashtu pyetjen se “si mundet presidenti serb, Vuçiq të heqë dorë nga territori në Serbinë Jugore, të cilën e dëshiron Thaçi, në shpërfillje të shqetësimeve për sigurinë e shtegdaljes kryesore të Serbisë drejt detit? Si mund t’i mbijetojë braktisjes së komuniteteve serbe dhe lokacioneve fetare në jug të Ibrit?”, teksa ka shtuar se si mundet Thaçi të heqë dorë nga Mitrovica Veriore e nga pasuritë si Trepça e Gazivoda.

“Si mundet Thaçi të heqë dorë nga Mitrovica Veriore, që ishte me shumicë shqiptare para luftës, ashtu si edhe nga Trepça dhe Gazivoda, burimet kryesore të shtetit të tij me resurse natyrore, respektivisht furnizim me ujë?” ka thënë ai.

Të komplikuara dhe të rrezikshme i ka quajtur idetë e kontratave 99-vjeçare të lëshimit me qira, menaxhim nga jashtë apo statuse ekstraterritorial.

“Do të doja ta përfundoja me një pyetje: përse kjo urgjentë? E kuptoj se Beogradi mund të ndiejë njëfarë presioni për një zgjidhje të hershme, pasi që anëtarësimi i saj në BE pritet të ndodhë disa vjet më parë sesa ai i Kosovës. Por Kosova duhet ta dijë se posa që Serbia të hyjë në fazat finale të anëtarësimit, do të duhet t’i bëjë të gjitha ato që kërkohen nga shtetet anëtare të BE-së. E njëra gjë që me siguri do të kërkohet është normalizimi i plotë i raporteve me Prishtinën. Megjithatë druaj se disa njerëz në Beograd dhe në Prishtinë mund ta kenë njëfarë ndjesie urgjence, shkaku i premtimit të presidentit Trump për ceremoni në ’Rose Garden’. Nuk kontestohet se ky është një rast i mirë, por lejomëni të jem i qartë: ceremonia në ‘Rose Garden’ nuk siguron pandëshkueshmëri. Do të isha i lumtur të shihja presidentët Vuçiq dhe Thaçi duke arritur marrëveshje, herët apo vonë. Kosova madje mund të dëshirojë të ofrojë koncesione mbi pagesën e borxheve në Bankën Botërore dhe rolet e planifikuara të ushtrisë së Kosovës, ashtu si edhe mbrojtjen për serbët në jug të Ibrit. Por ta shesësh sovranitetin për pakgjë, apo një ceremoni në ‘Rose Garden’ do të ishte gabim historik dhe i pafalshëm”, ka përfunduar Serwer.