Arbëri

Social-Demokratët në Maqedoninë e Veriut nominojnë Stevo Pendarovskin për president

Lidhja Social-Demokrate në Maqedoninë e Veriut ka nominuar, Stevo Pendarovskin si kandidat për pozitën e presidentit.

Delegatët e partisë kanë votuar më 3 mars në Kongresin e 23-të në Shkup, duke nominuar Pendarovskin me 712 vota nga 783 sa kanë qenë gjithsej, si kandidat në zgjedhjet presidenciale të 21 prillit.

Pendarovski, 55 vjeçar, ka mbështetjen edhe të Bashkimit Demokratik për Integrim, parti shqiptare, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar.

“Ju më keni dhënë një përgjegjësi të madhe politike”, u ka thënë Pendarovski delegatëve, teksa ka përmendur kënaqësinë që tri parti shqiptare kanë mbështetur kandidaturën e tij.

“Është e rëndësishme të shoh se në një shtet multietnik në Ballkan është e mundshme që njerëzit nga etni të ndryshme të bashkohen për qëllim të njëjtë; anëtarësim në institucione euro-atlantike, ligje që promovojnë të drejta të njeriut dhe përfaqësues që shkojnë përtej linjave ndarëse etnike”, ka shtuar ai.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev u ka bërë thirrje të gjithë delegatëve që ta përkrahin Pendarovskin.

Partia opozitare, VMRO-DPMNE, ka nominuar Gordana Siljanovska Davkovan, për presidente, duke shënuar kështu herën e parë që një grua kandidon për këtë pozitë.

Për shkak të kufizimeve të mandatit, presidenti aktual Gjorge Ivanov nuk ka të drejtë të garojë dhe i duhet të largohet nga zyra më 12 maj.

Ivanov, konservator, ka qenë kundërshtuar Marrëveshjen e këtij shteti me Greqinë, e cila ka rezultuar me ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Maqedoni të Veriut, duke i dhënë fund kontestit 27-vjeçar për emrin.

Kjo marrëveshje ka hapur rrugën e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian, proces të cilin Greqia e ka bllokuar në të kaluarën.