Arbëri

Zbatimi i gjuhës shqipe në Maqedoni nis me gabime

Foto: Alsat

Themelimi i Agjencisë dhe Inspektoratit që do të inspektojnë zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve ende nuk ka përfunduar në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë që disa institucione kanë vendosur të ndryshojnë mbishkrimet por tek të njëjtat, përkthimi në gjuhën shqipe është shoqëruar me gabime në emrin e shtetit, në përdorimin e disa shkronjave dhe gabime tjera sintaksore.

Të kontaktuar nga ALSAT, nga ky institucion nuk pati përgjigje se kush ka bërë përkthimin e mbishkrimit dhe nëse do të këtë përgjegjësi për lëshimet e bëra.

Nga qeveria e Maqedonisë thonë se janë të përkushtuar për zbatimin e përpiktë të gjuhës duke shprehur se me themelimin e dy institucioneve përgjegjëse për zbatimin e ligjit, do të evitohen edhe gabimet gjuhësore.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka themeluar dy grupe pune, të përbërë nga përfaqësues të institucioneve, si për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës ashtu edhe për zbatimin e të gjitha obligimeve që dalin nga Ligji për përdorimin e gjuhëve. Ligji për përdorimin e gjuhëve qartë thekson se parashihen dënime për institucionet që nuk do të respektojnë këtë ligj”, tha Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë, raporton Alsat-M.

Sipas profesorit universitar Salajdin Saliu, institucionet nuk duhet të nxitojnë të ndryshojnë tabelat, pa u konsoliduar institucionet, themelimi i të cilave parashikohet në Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Mendoj se gjithçka që bëhet gabim është e përshpejtuar dhe mendoj se duhet të kemi shumë kujdes, sepse sigurisht kjo krijon edhe një lloj reagimi edhe tek opinion publik. Mua me vjen mirë, që edhe mediat, të cilat shpesh edhe dinë ta teprojnë, kur është çështja e gjuhësh gjithmonë janë tepër të ndjeshme dhe luajnë rol shumë pozitiv. Kështu që besoj se gjithsesi, para se të ndryshohen këto tabela, çdokund ku duhet të futët gjuha shqipe dhe deri sa të konsolidohen institucionet që do ta mbrojnë, është mirë që të ketë një lloj bashkëpunimi dhe një lloj konsultimi edhe më njerëzit e profesionit dhe veçmas me katedrat”, u shpreh Salajdin Saliu, profesor universitar.

Për moszbatimin e drejtë të dispozitave të ligjit, neni 22 parashikon dënime prej 4 deri më 5 mijë euro për institucionin dhe 30 për qind të vlerës për drejtuesin e institucionit.

Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve është zgjedhur Ylber Sela ndërsa institucioni që ai do të drejtoj pritet të kompletohet me ekspertë të fushës së gjuhës. Agjenci do të ketë në dispozicion një buxhet prej 1.7 milionë euro.