Arbëri

Demi dyshon se gjykatat kanë guxim të arrestojnë Lushtakun nëse s’e paguan gjobën për gjuajtje me armë

Agron Demi nga Instituti GAP ka komentuar vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore të Gjakovës në lidhje me rastin e gjuajtjes me armë nga Endrit Shala, Dardan Gashi e Sami Lushtaku.

Demi ka hedhur dyshime në gjykatat e Kosovës se do të jenë në gjendje të arrestojmë ish-kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtakun, në rast se ky i fundit nuk e paguan gjobën prej 1.700 eurosh të vënë në gjykata.

“A beson ndokush se Sami Lushtaku do t’i paguajë shtetit 1.700 euro gjobë për gjuajtje me armë? Paramendojeni (edhe pse është e vështirë të paramendohet) një situatë kur gjykata jep urdhër të arrestohet Lushtakun sepse nuk i ka paguar 1.700 euro. Nuk po guxon ta arrestojë e dënojë për gjuajtje me armë, për kërcënim të gjykatësit, për uzurpim... e po guxon ta arrestojë për 1.700 euro”, ka shkruar Demi në Facebook, raporton Koha.net.

Demi kujton se si para disa vitesh, të njëjtat gjykata e patën dënuar me dy vjet burgim një qytetar të Obiliqit se i kishte vjedhur dy kilogramë hekur. “Po ama hekuri që e ka vjedhë ai nuk ka funksionuar me barut, e nuk e ka frikësuar gjykatësin sikurse hekuri me të cilin sillen Lushtaku me shokë”, ka përfunduar Demi.

Gjykata Themelore e Gjakovës, dega në Malishevë ka shpallur fajtorë të akuzuarit për posedim të paautorizuar të armëve, zëvendëskryeministrin Dardan Gashi, ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala dhe ish-kryetarin e Skenderajt Sami Lushtaku, duke u shqiptuar vetëm dënim me gjobë.

Gashi është dënuar me 1 mijë e 700 euro gjobë. Nëse këtë gjobë nuk e paguan brenda 15 ditëve, kur vendimi të bëhet i plotfuqishëm, Gjykata dënimin do ta zëvendësojë me 85 ditë burgim.

Shala është shpallur fajtor dhe është dënuar me 2 mijë e 400 euro gjobë. Nëse i njëjti nuk e paguan dënim me gjobë brenda 15 ditëve kur vendimi të bëhet i plotfuqishëm, ministrit Shala Gjykata do t’ia zëvendësojë dënimin me gjobë me 120 ditë burgim.

Dënim me gjobë ka marrë edhe ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili është dënuar me 1 mijë e 700 euro.

Fajtorë në këtë rast janë shpallur edhe tre të akuzuarit e tjerë, Behar Amerllahu, Fadil Demiri dhe Sherif Kastrati, duke u dënuar secili me nga 1 mijë e 700 euro gjobë.