Arbëri

Bizneset investojnë në energji të gjelbër, por hasin në pengesa nga ZRRE-ja

Derisa ministri i Zhvillimi Ekonomik, Valdrin Lluka, thotë se po organizon workshope me qëllim të lehtësirave për dhënien e licencave për energji të ripërtërishme, bizneset që kanë investuar mijëra euro nuk po mund t’i shfrytëzojnë këto kapacitete.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë po ua pamundëson bizneseve të mëdha dhe të mesme të jenë gjeneruese të energjisë përmes burimeve të ripërtërishme me kapacitete mbi 100 KW, raporton KTV.

Përmes rregullores “Rregulla për skemën mbështetëse për gjeneratorët e burime e të ripërtërishme të energjisë”, neni 2 pika 1.9, përcaktohet se konsumatori prodhues përkufizohet si pronar i mikro-gjeneratorit që automatikisht e limiton kapacitetin e instalimit në 100 KW.

Si pasojë, biznesmeni Mustafë Borovci, i cili ka investuar 60 përqind të projektit për panele solare prej 800 mijë eurosh, nuk po mund t’i shfrytëzojë ato.

Nevoja për investime në energji të ripërtërishme kishte ardhur pasi shpenzimet në energji elektrike në vit për të janë afër 400 mijë euro.

Përveç Mustafës, me këtë problem po përballen edhe bizneset e tjera.

Trim Ternava, menaxher i projekteve në “Jaha Solar”, tregon se për këtë rregullore kanë bërë ankesë edhe në ZRRE, megjithëkëtë rregullorja e miratuar në prill të 2017-s nuk ka ndryshuar.

Kohavisioni ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga ZRRE-ja, lidhur me penalizmin e bizneseve, mirëpo ata nuk janë deklaruar.

Megjithëkëtë, në një përgjigje të dhënë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, thuhet se në bazë të raportit të Sekretariatit të Energjisë në Vjenë, Kosova ka arritur nivelin e konsumit të energjisë së ripërtërishme në 24.6 përqind.

Ndërsa, ka mbetur vetëm 0.4 përqind larg obligimit që Kosova e ka deri në vitin 2020, e që është 25 përqind.