Arbëri

Avokati i Popullit kërkon nga autoritetet krijim të kushteve për të lirë për personat me karroca

Descriptive Text

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Karroca, ka thënë se edhe pse Kushtetuta e Kosovës garanton trajtim të barabartë dhe pa diskriminim, lëvizje të papenguar, mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë, e po ashtu legjislacioni në fuqi ka arritur mjaftueshëm ta rregullojë fushën e cila garanton infrastrukturë për personat me aftësi të kufizuar, në vendin tonë mbetet akoma e pazbatuar përshtatja e kushteve për nevojat e personave me aftësi të kufizuar, të cilët mjete mbështetëse për lëvizje i kanë karrocat.

Personat me karroca, sipas Jasharit, nuk kanë qasje të lirë dhe pa pengesa nëpër të gjitha objektet publike në të cilat ofrohen shërbime.

“Pjerrinat që garantojnë qasje horizontale, nëpër shumë objekte janë të ndërtuara jashtë standardeve dhe personat me karroca nuk mund të lëvizin të lirë pa ndihmën e përcjellësve. Pengesa për qasjen e personave me aftësi të kufizuar vërehen edhe nëpër Qendra të Mjekësisë Familjare, për shkak të mungesës së ashensorëve”, ka thënë Avokati i Popullit.

Jashari thotë po ashtu se infrastruktura rrugore për personat me karroca është e papërshtatshme, trotuaret janë të ngritura dhe e vështirësojnë lëvizjen e lirë të tyre, transporti publik nuk ofron qasje të lehtë për këta persona pa ndihmën e përcjellësve.

Prandaj, Avokati i Popullit, me rastin e kësaj dite, ua rikujton të gjithëve, në veçanti autoriteteve publike, që duke u krijuar kushte për lëvizje të lirë dhe të papenguar nëpër të gjitha hapësirat dhe objektet publike, përmes infrastrukturës së përcaktuar me legjislacionin në fuqi, personat me aftësi të kufizuar të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim.