Arbëri

Pas dënimit Dardan Gashi apelon të mos festohet me armë

Descriptive Text

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore pas dënimit me gjobë të shqiptuar nga Gjykatës Themelore të Gjakovës, për gjuajtje me armë.

“Shfrytëzoj rastin të sqaroj opinionin publik, se përkundër raportimit jo-korrekt të disa mediave, nuk bëhet fjalë për ‘gjuajtje me armë zjarri’, por edhe sipas kualifikimit të Prokurorisë dhe Forenzikës së Republikës së Kosovës që ka ekzaminuar mjetet e përdorura, bëhet fjalë për ‘imitim arme me gaz’, e cila përveç zhurmës që krijon nuk prodhon predhë apo çfarëdo materiali tjetër me të cilin mund të shkaktohet ndonjë lëndim”, thuhet në reagim.

Dardan Gashi, Endrit Shala e Sami Lushtaku gjobiten për gjuajtje me armë

Megjithatë Gashi thotë se e pranon këtë vendim dhe se nuk do të ushtrojë ankesë.

“Unë jam përgjigjur nga fillimi të gjitha ftesave të organeve shtetërore ashtu sikurse edhe kërkon Ligji. Këshillat juridike që kam marr nga avokatët mbrojtës konfirmojnë se gjoba në fjalë nuk ndikon në ushtrimin e detyrës publike të cilën e kam. Me këtë konfirmoj se nuk do të ushtroj ankesë ndaj vendimit, ndërsa gjobën do ta paguaj sipas kërkesave të Gjykatës, ashtu që kjo temë të konsiderohet si e mbyllur”, ka thënë Gashi.

Gashi ka apeluar te qytetarët që pavarësisht rastit të përmbahen nga veprimet e gjuajtjeve me armë zjarri gjatë festimeve familjare.