Arbëri

Seancat e jashtëzakonshme më 5 dhe 6 mars

Deputetja e Partia Socialdemokrate, Shqipe Pantina, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit ka njoftuar se më 5 dhe 6 mars do të mbahen seancat e jashtëzakonshme me dy kërkesat e opozitës.

Sipas saj, në seanca do të diskutohet për shpenzimet e kremtimit të përvjetorit të pavarësisë dhe për funksionalizimin e KQZ-së.

“Qeveria duhet të japë llogari se si i ka shpenzuar mjetet. Propozuesit kanë propozuar që grupet parlamentare të hartojnë një rezolutë. Për keqpërdorime të tilla dikush të jap përgjegjësi, po ashtu edhe dorëheqje. Kërkesa e dytë është funksionalizmi i KQZ-së, për emërimin e anëtarëve të KQZ-së, është përgjegjësi e presidentit. Kërkesa e jonë është që të thirren seanca të rregullta çdo të enjte, e jo më shumë se 10 pika. Ne kemi 60 pika të rendit të ditës që kanë mbetur nga seancat e mëhershme", ka thënë ajo, raporton KP.

Ajo ka shtuar se taksa është vendim i qeverisë dhe se taksa nuk është arsye që të rrëzohet kjo e fundit.


Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në një mbledhje të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, ka përcaktuar agjendën e punës së Kuvendit për javën e ardhshme.

Kështu, në bazë të kërkesës së 44 deputetëve Kuvendi do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, të martën, më 5 mars 2019 në orën 10:00, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në këtë seancë pritet të debatohet lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara, transmeton Koha.net.

Të mërkurën, më 6 mars, Kuvendi do të mbajë po ashtu seancë të jashtëzakonshme, me kërkesë të grupit të deputetëve, për të diskutuar lidhur me, siç thuhet, bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga presidenti.

Po të njëjtën ditë, në orët e pasdites, Kuvendi do të mblidhet në një seancë të veçantë, me rastin e 21-vjetorit të rënies së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.